• e enjte, 03 tetor 2024

Rute: NATO do t'i përkushtohet ndërtimit të një bote më të sigurt për qytetarët tanë (PLT)

Rute: NATO do t'i përkushtohet ndërtimit të një bote më të sigurt për qytetarët tanë (PLT)

Bruksel, 1 tetor 2024 (MIA) - Aleatët në NATO përballen me sfida serioze dhe duhet të punojmë në përballjen me to, në bazë të përcaktimit për ndërtimin e botës më të sigurt për miliarda qytetarë tanë, porositi sekretari i ri i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute, në konferencë për media në Bruksel pas marrjes së detyrës gjatë ditës së sotme.

“Detyra ime do të jetë të punoj në zbatimin e kësaj dhe aftësimin e Aleancës sonë në botën gjithnjë e më komplekse. Nuk ekziston asgjë që nuk mundemi ta arrijmë bashkë”, tha Rute.

Ai theksoi se gjatë mandatit të tij në krye të NATO-s do të përkushtohet në tre prioritete kryesore – sigurimin e garancive se Aleanca do të mund të përgjigjet për të gjitha kërcënimet, mbështetje të Ukrainës në luftën kundër agresionit rus dhe përballje me sfidat e shtuara globale lidhur me sigurinë euroatlantike.

"Qëllimi kryesor i NATO-s është të garantojë sigurinë tonë. Në dekadat e kaluara kemi arritur progres dramatik në forcimin e aftësisë së forcave tona për t'u përballur me çdo kërcënim, nga çdo drejtim", tha Rute. 

Sipas tij, në përballjen me sfidat e reja, NATO do të duhet të forcojë industrinë e mbrojtjes transatlantike dhe të rrisë kapacitetet e saja prodhuese, të investojë në inovacion dhe të sigurojë zinxhirët e furnizimit.

"Për të arritur aftësitë e nevojshme, ne kemi nevojë për kosto më të larta të mbrojtjes. Do të punojë me aleatët për të siguruar investime të mjaftueshme në zonat e nevojshme dhe për të forcuar sigurinë tonë kolektive", shtoi Rute. 

Rute theksoi edhe se mbështetja e Ukrainës parasheh investime në sigurinë e vet, sepse mbrojtja për një Ukrainë të pavarur dhe të lirë është një garanci për paqen dhe stabilitetin në Evropë. Ai theksoi se e ka paralajmëruar Ukrainën disa herë që nga fillimi i luftës dhe ishte dëshmitarë i agresionit brutal rus, por edhe të guximit të popullit ukrainas në luftën e tyre për liri. 

"Çmimi i mbështetjes së Ukrainës është shumë, shumë më pak, nga çmimi me të cilin do të përballeshim nëse do ta lejonim (presidentin rus Vlladimir) Putin ta marrë atë që dëshiron", theksoi Rute. 

Ai theksoi se në Samitin e fundit të NATO-s në korrik të këtij viti në Uashington, anëtarët e Aleancës u angazhuan për mbështetje afatgjate për Ukrainën dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Pakt.

Në pyetjen e gazetarëve për qëndrimin e tij lidhur me kërkesën e Kievit për lejimin e shfrytëzimit të raketave me rreze të gjatë veprimi të dhuruara nga vendet perëndimore për sulmet në territorin rus, Rute tha se sipas ligjit ndërkombëtar Ukraina ka të drejtë të mbrohet dhe se mbrojtja nuk kufizohet vetëm brenda kufijve të saj, por theksoi se vendimi për të miratuar ndoshta përdorimin e këtyre raketave nuk është nën juridiksionin e NATO-s, por se shtetet anëtare vendosin individualisht.

Sa i përket kërcënimeve të Putinit për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, Rute tha se Perëndimi rregullisht ka marrë kërcënime nga Kremlini, por që tani për tani nuk ka absolutisht asnjë tregues për rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia. 

Ai tutje theksoi se fokusi i NATO-s duhet të mbetet në sigurinë euroatlantike dhe sigurinë e miliarda banorëve të saj në kushte të rritjes globale të kërcënimeve. 

Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s paralajmëroi forcimin e bashkëpunimit me vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore dhe rajonit të Sahelit me qëllim për të forcuar stabilitetin në fqinjësinë jugore të Aleancës.

"Duhet të bëjmë më shumë për t'u përballur me kërcënimin e terrorizmit në vendet dhe popullsinë tonë", porositi Rute ku në këtë kontekst ai theksoi bashkëpunimin me autoritetet e Irakut dhe rajonit të Kurdistanit në luftën kundër grupeve terroriste dhe veçanërisht kundër organizatës Shteti Islamik. qa/

Foto: EPA/skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR