• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Rute: Anëtaret e NATO-s duhet të ndajnë më shumë se dy për qind nga BPV-ja për mbrojtjen

Rute: Anëtaret e NATO-s duhet të ndajnë më shumë se dy për qind nga BPV-ja për mbrojtjen

Bruksel, 3 dhjetor 2024 (MIA) - Shpenzimet në mbrojtje prej dy për qind të BPV-së në nivel nacional nuk janë të mjaftueshme dhe vendet anëtare të NATO-s do të duhet të ndajnë më shumë mjete për forcimin e kapaciteteve të tyre mbrojtëse, deklaroi sot Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute në konferencën për media para fillimit të takimit dyditor të shefave të diplomacisë së Paktit në të cilin merr pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

"Duhet të bëjmë më shumë. Nuk mund të qëndrojmë në dy për qind, sepse në afatgjatë kjo do të thotë se vendosmëria jonë nuk është mjaft e fuqishme", ka thënë Rute.

Për të forcuar sigurinë e saj, sipas tij, NATO-s i duhet një industri më e fortë e mbrojtjes dhe një rritje e prodhimit të saj, diçka që Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut tashmë po e bëjnë.

Pjesa e punës së takimit fillon pasditen e sotme me mbledhjen e Këshillit Veriatlantik në nivel të shefave të diplomacisë ku për herë të parë do të marrë pjesë edhe Abdullah II nga Jordania.

Ministrat e NATO-s do të bisedojnë për konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e saj në sigurinë euro-atlantike.

"Jordania është një nga partnerët më të rëndësishëm të NATO-s në Lindjen e Mesme. Së shpejti do të hapim zyrën ndërlidhëse të NATO-s në Aman dhe ky është një hap i rëndësishëm për t'i bërë marrëdhëniet tona në rajon edhe më të fuqishme", ka thënë Rute.

Në fund të ditës së parë të takimit do të mbahet takim i Këshillit NATO-Ukrainë në formën e një darke pune ku do të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrij Sibiha. Në takim do të diskutohet mbi konfliktin në Ukrainë dhe mënyrat për të forcuar vendin në përballjen me agresionin rus.

Rute ka paralajmëruar se në takim do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, që siç theksoi, NATO dhe Bashkimi Evropian duhet të bashkëpunojnë ngushtë për mbështetjen e Ukrainës.

"Ukraina po hyn në një dimër tjetër vendimtar dhe agresioni rus nuk tregon shenja pakësimi. Përkundrazi, Putini po intensifikon retorikën dhe veprimet e tij të pamatura. Ai po përdor Ukrainën si një terren për testim për raketat eksperimentale dhe vendosjen e ushtarëve të Koresë së Veriut në këtë luftë të paligjshme", ka thënë Rute.

Sipas tij, presidenti rus Vlladimir Putin nuk është i interesuar për paqe dhe e rrit presionin duke tentuar të marrë më shumë territor "prandaj mendon se mund ta thyejë vendosmërinë e Ukrainës dhe tonën, por gabon".

Rute ka thënë se aleatët mbeten të përkushtuar ndaj premtimit të bërë nga vetë NATO në Uashington në korrik të këtij viti për ndihmë financiare prej 40 miliardë euro për këtë vit për të mbështetur Ukrainën dhe unë mirëpres paralajmërimet e fundit për më shumë ndihmë ushtarake për vendin nga disa shtete anëtare të Aleancës, ndër të cilat edhe SHBA, Gjermania, Suedia, Estonia, Lituania dhe Norvegjia.

"Ky është një lajm i shkëlqyer. Formojmë komandën e re të NATO-s në Vizbaden për të koordinuar ndihmën dhe trajnimin e sigurisë për Ukrainën. Kjo e bën mbështetjen tonë më të fuqishme dhe gjithashtu të qëndrueshme. Por ne të gjithë do të duhet të bëjmë më shumë, sidomos tani. Sa më e madhe të jetë mbështetja jonë ushtarake për Ukrainën tani, aq më i fortë do të jetë pozicioni i saj në tryezën e bisedimeve dhe aq më shpejt mund t'i japim fund agresionit rus njëherë e përgjithmonë", ka thënë mes tjerash Rute.

Sipas tij, Ukrainës nuk i nevojiten ide dhe diskutime se si të negociojë për arritjen e paqes, por ka nevojë për mbështetje ushtarake për të forcuar pozitën e saj në terren dhe rrjedhimisht në negociatat e ardhshme të paqes.

Në lidhje me kërkesat e Kievit për dërgimin e ftesës për anëtarësim në NATO pas një procedure të përshpejtuar, Rute thotë se ekziston ujdi mes aleatëve se vendi i Ukrainës është në Aleancë, por se prioritet për momentin është forcimi i mbështetjes ushtarake për vendin dhe për këtë do të diskutohet në takimin e ardhshëm ministror.

Takimi ministror i NATO-s vazhdon nesër në mëngjes me seancë të Këshillit Veriatlantik ku ndër të tjera do të diskutohet mbi forcimin e industrisë së mbrojtjes, rritjen e sigurisë së infrastrukturës kritike, përgatitjet për Samitin e Aleancës që do të mbahet vitin e ardhshëm në Hagë, por dhe për “aktivitetet armiqësore të Rusisë në vendet e NATO-s”.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR