• e diel, 29 dhjetor 2024

Rusia e akuzon Ukrainën se ka shfrytëzuar raketa amerikane për të sulmuar objektiva civile në Lugansk, me ç'rast kanë humbur jetën tre persona

Rusia e akuzon Ukrainën se ka shfrytëzuar raketa amerikane për të sulmuar objektiva civile në Lugansk, me ç'rast kanë humbur jetën tre persona

Moskë, 7 qershor 2024 (MIA) - Ministria ruse e Mbrojtjes ka akuzuar forcat e armatosura të Ukrainës se sot kanë gjuajtur pesë raketa ATAKMS, të porositura nga SHBA-ja, ndaj qytetit lindor ukrainas Lugansk, i cili është nën kontroll të Rusisë.

Ministria ruse për Gjendje të Jashtëzakonshme kumtoi se në sulmin janë vrarë tre persona, ndërsa 35 janë lënduar, mes të cilëve edhe fëmijë, njoftuan mediat britanike.

Siç theksoi Ministria e Mbrojtjes, katër nga pesë raketat janë shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore, por njëra prej tyre goditi një bllok ndërtesash.

"Sot në orën 11 sipas kohës moskovite, regjimi në Kiev ka kryer krim kundër popullatës civile në Republikën Popullore Lugansk, duke shfrytëzuar armë të siguruara nga Perëndimi. Zonat e banuara të qytetit Lugansk kanë qenë shënjestër të pesë raketave ATAKMS të prodhimit amerikan", kumtoi Ministria e Mbrojtjes, e cituar nga mediat ruse.

I dërguari special i MPJ-së ruse, Rodion Miroshnik, paralajmëron se është "i mundur sulm i dytë me raketa". 

Për momentin nuk ka asnjë reagim nga ana ukrainase për atë që ka ndodhur. rq/bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR