• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Rusia dhe Irani nuk do të marrin ftesa për Konferencën e Sigurisë në Mynih, njoftoi kryetari i forumit

Rusia dhe Irani nuk do të marrin ftesa për Konferencën e Sigurisë në Mynih, njoftoi kryetari i forumit

Mynih, 3 shkurt 2024 (MIA) - Në konferencën e sivjetme të sigurisë në Mynih nuk do të marrin ftesë disa liderë të huaj, si dhe përfaqësuesit e disa partive politike gjermane, deklaroi kryesuesi i forumit, lajmëroi DPA.

Qeveritë e Rusisë dhe Iranit nuk do të marrin ftesa për konferencën, e cila do të zgjasë nga data 16 deri më 18 shkurt dhe do të përfshijë rreth 50 liderë botëror dhe pothuajse 100 ministra për punë të jashtme.

Forumi në fjalë mbahet çdo vit dhe është një takim i pavarur i vendeve të ndryshme ku diskutohen çështjet e sigurisë dhe merren vendime për sfidat aktuale dhe të ardhshme, thekson DPA. Në konsultime zakonisht marrin pjesë krerët e shteteve, qeverive, organizatave ndërkombëtare, deputetë dhe përfaqësues të lartë të strukturave të mbrojtjes.

"Disa ditë më parë, presidenti rus tha se do të ishte shumë i lumtur të negocionte, por jo me këtë qeveri të Ukrainës. Me fjalë të tjera, nuk ka vullnet serioz për të negociuar. Për këtë arsye ne deklaruam se nuk do të ftojmë qeverinë ruse, por do t'u bëjmë ftesa rusëve nga organizata joqeveritare dhe politikanë që jetojnë në mërgim", tha kryetari i konferencës  Kristof Hojsgen.

Hojsgen bëri të njëjtën gjë vitin e kaluar, kur u mbajt Konferenca e parë e Sigurisë në Mynih që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

"Në rastin e Iranit, ne dëgjojmë nga qeveria gjermane dhe nga amerikanët se nuk ka interes për negociata. Në gjendjen aktuale, ne po ftojmë vetëm iranianë nga organizatat joqeveritare", tha kryesuesi i forumit.

Ai shtoi se disa parti politike gjermane gjithashtu nuk do të merrnin pjesë, duke vënë në dukje Alternativën për Gjermaninë e ekstremit të djathtë, e cila gjithashtu nuk u pranua në konferencën e vitit të kaluar. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR