• e mërkurë, 21 janar 2026

Rumen Radevi jep dorëheqje, Iliana Jotova merr detyrën si presidente e Bullgarisë

Rumen Radevi jep dorëheqje, Iliana Jotova merr detyrën si presidente e Bullgarisë

Sofje, 20 janar 2026 (MIA) – Dorëheqja e presidentit bullgar Rumen Radev është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe shefi i shtetit është duke pritur prononcimin e saj, konfirmuan për BTA nga Sekretariati për shtyp i presidentit. Radevi e kumtoi vendimin e tij dje në një fjalim drejtuar popullit bullgar ku bëri të ditur se kjo është hera e fundit që u drejtohet qytetarëve si president i vendit.

Sipas nenit 97 të Kushtetutës, një nga mundësitë për përfundimin e parakohshëm të mandatit të presidentit dhe zëvendëspresidentit është paraqitja e dorëheqjes në Gjykatën Kushtetuese. Pas paraqitjes së dorëheqjes, kompetencat e tij pushojnë me përcaktimin e rrethanave nga ana e Gjykatës. Sipas ligjit themelor, kur shefi i shtetit jep dorëheqje, zëvendëspresidenti merr detyrën e presidentit deri në fund të mandatit. Zëvendëspresidente e Bullgarisë për momentin është Iliana Jotova.

Rumen Radevi është presidenti i pestë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Republikës së Bullgarisë. Ai u zgjodh për mandatin e tij të parë në nëntor 2016 dhe u rizgjodh për një mandat të dytë në nëntor 2021. Në periudhën 2014–2016, Radevi ishte Komandant i përgjithshëm i Forcave ajrore të Bullgarisë. Deri më sot nuk ka pasur asnjë rast dorëheqje nga një president në Bullgari.

Në fjalimin e tij emocional, Radevi kërkoi falje nga qytetarët dhe kritikoi ashpër elitat politike. "Sot po ju drejtohem për herë të fundit si president i Bullgarisë sonë. Së pari dua t'ju kërkoj falje. I pranoj gabimet e mia dhe jam i vetëdijshëm për atë që nuk arrita të bëj", theksoi ai.

"Nevojitet marrëveshje e re shoqërore. Demokracia jonë nuk do të mbijetojë nëse ua lëmë individëve të korruptuar dhe ekstremistëve. Kjo varet nga angazhimi personal i secilit prej nesh. Jam i bindur se Iliana Jotova do të jetë një kryetare e denjë shteti dhe e falënderoj për mbështetjen e saj gjatë këtyre nëntë viteve", theksoi kreu i shtetit bullgar.

Në fund të fjalimit të tij, Radevi paralajmëroi se lufta e tij vazhdon së bashku me qytetarët, duke përfunduar me porosinë: "Jemi gati, mundemi dhe do të kemi sukses!".

foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR