Rubio: Nuk na duhet nafta e Venezuelës, por nuk duam që rivalët globalë të ShBA-së t'i marrin burimet e saj
- ShBA nuk është në luftë me Venezuelën, por me trafikantët e drogës dhe nuk na duhet nafta venezueliane, por nuk duam që rivalët dhe kundërshtarët globalë të Amerikës të marrin burimet venezueliane, deklaroi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marko Rubio, për En Bi Si, duke komentuar ndërhyrjen amerikane në Venezuelë dhe arrestimin e presidentit Nikolas Maduro.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 17:38, 4 janar, 2026
Shkup, 4 janar 2025 (MIA) - ShBA nuk është në luftë me Venezuelën, por me trafikantët e drogës dhe nuk na duhet nafta venezueliane, por nuk duam që rivalët dhe kundërshtarët globalë të Amerikës të marrin burimet venezueliane, deklaroi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marko Rubio, për En Bi Si, duke komentuar ndërhyrjen amerikane në Venezuelë dhe arrestimin e presidentit Nikolas Maduro.
" Ajo që po ndodh nuk është luftë. Ne jemi në luftë me organizatat e trafikimit të drogës, por nuk është luftë me Venezuelën. Ne po zbatojmë sanksionet amerikane për naftë. Kemi sanksionuar subjekte të caktuara. Shkojmë në gjykatë, do të marrim urdhër dhe do të sekuestrojmë cisterna nafte. Kjo do të vazhdojë", tha Rubio.
Ai tha se për momentin nuk ka forca amerikane në terren në Venezuelë, duke vënë në dukje se trupat amerikane kishin qenë në territorin e Venezuelës për rreth dy orë.
Rubio nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes se kush momentalisht e drejton Venezuelën, por theksoi se ShBA-ja do që "Venezuela të lëvizë në një drejtim të caktuar".
"Është kyçe që presim ndryshime në Venezuelë, ndryshime të të gjitha llojeve, afatshkurtra dhe afatgjata. Duam që Venezuela të lëvizë në një drejtim të caktuar sepse mendojmë se është mirë për popullin e Venezuelës, por edhe në interesin tonë kombëtar" theksoi Sekretari i Shtetit i ShBA-së.
Këto ndryshime, siç theksoi, përfshijnë "ndërprerje të trafikimit të drogës dhe ndërprerjen e pranisë së Iranit dhe Hezbollahut në vend", ndërsa industria venezuelane e naftës të mos përdorët më "për të pasuruar kundërshtarët amerikanë në të gjithë botën, por në dobi të Venezuelës dhe ShBA-së".
I pyetur pse ShBA nuk po bashkëpunojnë me lideren e opozitës Maria Korina Maçado në procesin e tranzicionit, ai tha se administrata për momentin po përballet me "realitetin e menjëhershëm në Venezuelë".
"Fatkeqësisht, shumica dërrmuese e opozitës nuk është më e pranishme në Venezuelë. Kemi probleme afatshkurtra që duhet të zgjidhen menjëherë. Ne të gjithë duam një të ardhme të ndritur për Venezuelën, por tani po flasim për atë që do të ndodhë në dy deri në tre javët dhe dy deri në tre muajt e ardhshëm", theksoi Rubio.
Ai nuk donte të specifikonte se kur do të mbahen zgjedhjet në Venezuelë. "Mendoj se është shumë herët për të folur për këtë tani. Ka ende shumë punë. Le të jemi realistë: për momentin jemi të përqendruar në të gjitha problemet që kishim kur Maduro ishte në pushtet", shpjegoi Sekretari i Shtetit i ShBA-së.
Lidhur me dispozitën në Kushtetutën e ShBA-së që vetëm Kongresi mund të shpallë luftë dhe pse nuk u kërkua miratimi për ndërhyrjen në Venezuelë, Rubio konfirmoi se Kongresi nuk u njoftua paraprakisht për operacionin e djeshëm, por se nuk ishte e nevojshme.
Arrestimi i Nikolas Maduros, sipas tij, nuk ishte një veprim që kërkon miratimin e Kongresit sepse nuk ishte çështje lufte.
Ai e përshkroi operacionin si "zbatimin e ligjit për të arrestuar një anëtar të dyshuar të një karteli droge", duke theksuar se nuk ishte një operacion ushtarak afatgjatë.
"Ishte një operacion shumë i ndjeshëm dhe kërkonte që të gjitha rrethanat të përkonin në kohën e duhur në vendin e duhur, pa rrezikun e rrjedhjes së informacioneve", thotë Rubio.
Mohoi se ndërhyrja është për naftën venezueliane, por theksoi se ShBA nuk do të lejonin rivalët globalë t'i ndërmarrin burimet e Venezuelës.
Foto: MIA