• e enjte, 26 dhjetor 2024

Rritet numri i viktimave nga përmbytjet në Greqi

Rritet numri i viktimave nga përmbytjet në Greqi

Athinë, 7 shtator 2023 (MIA) - Nga një shtëpi në fshatin  Astrica pranë qytetit grek  Kardica, një nga rajonet më të prekura, janë nxjerrë trupat e pajetë të dy grave, me të cilat numri i të vdekurve nga përmbytjet në Greqi, të shkaktuar nga stuhia "Daniel", u rrit në gjashtë persona, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Jozyrtarisht, të paktën gjashtë persona rezultojnë të zhdukur, katër prej të cilëve shtetas të huaj, nga Austria dhe Gjermania.

Prej pasdites së sotme kanë vijuar një sërë operacionesh shpëtimi nga toka, uji dhe ajri, të drejtuara nga zjarrfikësit, shërbimi bregdetar dhe pjesëtarët e ushtrisë.

Ekipet e shpëtimit nga Roja Bregdetare me gomone po "lundrojnë" rrugëve të kthyera në lumenj në fshatin Astrica dhe po shkojnë shtëpi më shtëpi për të evakuuar banorët e ngecur në shtëpitë e tyre.

Pjesëtarët e armatës po shpëtojnë me helikopterë dhe ekskavatorë, ndërsa më shumë se 200 persona janë transportuar të sigurt nga plazhet në zonën bregdetare të zonës Magnisia me ndihmën e skafeve të shërbimit bregdetar.

Disa fshatra dhe qytete më të vogla në afërsi të Kardicës në Greqinë qendrore janë përmbytur plotësisht dhe banorët janë strehuar në çatitë e shtëpive të tyre dhe po presin ndihmë. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR