• e martë, 24 dhjetor 2024

Rode: Saracin nuk arriti ta bindë Kurtin për kompromis për Kosovën në CEFTA

Rode: Saracin nuk arriti ta bindë Kurtin për kompromis për Kosovën në CEFTA

Prishtinë, 5 shtator 2024 (MIA) - Ambasadori gjerman Jorn Rode deklaroi se i dërguari i posaçëm i vendit të tij për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Manuel Saracin erdhi në Kosovë me qëllim që ta bind kryeministrin Albin Kurti të bëjë kompromis për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), por pa sukses, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

CEFTA është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim, mes tjerash, që ta lehtësojë këmbimin tregtar të vendeve nga Ballkani Perëndimor.

"Manuel Saracin sërish e vizitoi Kosovën për t'i bërë thirrje Albin Kurtit të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liri kyçe për qytetarët e Kosovës, duke e zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bord, por – pa sukses", ka shkruar Rode në platformën "X".

Përfaqësuesi diplomatik gjerman në Prishtinë tha se "nëse është e nevojshme, vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor do të vazhdojnë për momentin pa Kosovën (në CEFTA), për të vazhduar bashkëpunimin rajonal edhe me procesin e Berlinit".

Më 29 gusht, Kurti u takua me të dërguarin e posaçëm gjerman në zyrën e tij së bashku me ministren e Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Në takim, siç u njoftua, u diskutua për progresin në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe pritjet nga samiti i ardhshëm i Procesit, i cili do të mbahet në Berlin në 10 vjetorin e tij.

Kryeministri i Kosovës theksoi se "në kohën kur platformat e tjera paralele (si Ballkani i Hapur) po shtyheshin në rajon, Kosova u angazhua plotësisht në procesin e Berlinit, duke kërkuar ri-intensifikimin dhe fuqizimin e tij si një platformë që ofron barazi dhe përshpejton procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet që duan të anëtarësohen".

Kurti tha se është e rëndësishme para samitit të ardhshëm "të arrihen jo vetëm marrëveshje të reja, por edhe të sigurohet zbatimi i marrëveshjeve që kemi nënshkruar tashmë".

Mirëpo, në kumtesën e zyrës së kryeministrit të Kosovës, kjo temë për të cilën po shkruan sot ambasadori Rode, nuk është përmendur fare. ia/sa/

QËNDRONI TË LIDHUR