• e shtunë, 29 qershor 2024

Robinsoni në Tiranë: SHBA-ja mirëpret punën e palodhur të organeve gjyqësore në Shqipëri dhe u jep mbështetje të fortë

Robinsoni në Tiranë: SHBA-ja mirëpret punën e palodhur të organeve gjyqësore në Shqipëri dhe u jep   mbështetje të fortë

Tiranë, 19 mars 2024 (MIA) - Ndihmës Sekretari amerikan i  Byrosë Ndërkombëtare për  Narkotikë dhe  Zbatimit të Ligjit, Tod D. Robinson po qëndron për vizitë dyditore në Tiranë, ku pati një takim me njeriun e parë të Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani dhe drejtoreshën e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajna, me bashkëpunëtorët e tyre.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, përmes rrjeteve sociale njofton se Robinsoni kërkoi nga institucionet shqiptare që të vazhdojnë me reformat, të cilat sipas tij sjellin ndryshime në vend.

"Sot shqiptarët po bëjnë  hapa të rëndësishëm në zbatimin e reformave të vështira. Dua që të gjithë ta dini se kolegët e mi dhe unë në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur. Por, si çdo punë tjetër e vështirë për të forcuar demokracinë dhe për të rritur llogaridhënien, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Doja t'ju inkurajoja së pari të dini se po sjellni ndryshim dhe së dyti të mos dorëzoheni, të vazhdoni", i porositi ai bashkëbiseduesit. 

Ai shtoi se SHBA-ja “do të mbështetet tek Shqipëria si partnere në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”.

"Do të mbështetemi tek ju si partnerë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Por më e rëndësishmja, qytetarët shqiptarë besojnë tek ju. Dhe unë mund t'ju premtoj se ndërsa vazhdoni punën tuaj, qeveria amerikane do të jetë partneri juaj në këtë dhe do të ecë përkrah jush në mbështetjen tuaj dhe Shqipërisë", shtoi Robinsoni. 

 Gjatë qëndrimit në Tiranë është planifikuar një takim edhe me kryeministrin Edi Rama, pas së cilës ai do të niset për në Prishtinë, ku ndër të tjera është paraparë një takim me presidenten Vjosa Osmani.

Robinsoni në periudhën nga viti 2004-2006, ka punuar në Ambasadën Amerikane në Tiranë. qa

Foto: Ambasada e SHBA -së - Tiranë

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR