• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Robert Habek, kandidat i të Gjelbërve për kancelar të Gjermanisë

Robert Habek, kandidat i të Gjelbërve për kancelar të Gjermanisë

Uizbaden, 17 nëntor 2024 (MIA) - Delegatët e Partisë së Gjelbër të Gjermanisë sot në konferencën partiake në Uizbaden me shumicë votash vendosën që ministri aktual i Ekonomisë, Robert Habek të jetë kandidati i tyre për kancelar në parlamentin e ardhshëm, transmeton DPA.

Habek duhet ta udhëheq fushatën zgjedhore së bashku me ministren për Punë të Jashtme, Analena Berbok.

Pak para nominimit të tij, Berbok e lavdëroi Habekun si "super pragmatik" duke theksuar se ai ka ruajtur kursin e Gjermanisë në një kohë krize si ministër i Ekonomisë dhe e ka çliruar vendin nga varësia energjetike nga Rusia.

Nominimi i Habekut ishte i pritshëm, duke qenë se askush tjetër nga Partia e Gjelbër nuk u propozua për kandidat për kancelar.

Gjermania për momentin po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme që priten të mbahen në shkurt, pas rënies së koalicionit qeverisës javën e kaluar, pasiqë kancelari Olaf Sholc vendosi t’i përjashtojë nga qeveria Demokratët e lirë dhe e shkarkoi liderin e saj Kristian Lindner nga detyra e ministrit të Financave pas disa muajsh polemika rreth buxhetit të vitit 2025.

Sipas anketave në Gjermani, mbështetja e të Gjelbërve të Habekut po bie dhe për momentin është rreth 11 për qind.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR