• e enjte, 26 dhjetor 2024

Rezultatet e para të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi: Gjukanoviqi udhëheq para Milatoviqit, i treti është Mandiqi

Rezultatet e para të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi: Gjukanoviqi udhëheq para Milatoviqit, i treti është Mandiqi

Podgoricë, 19 mars 2023 (MIA) - Sipas rezultateve fillestare të zgjedhjeve të sotme presidenciale në Mal të Zi, numër më të madh votash ka marrë shefi i deritashëm i shtetit dhe kandidat i PDS-së, Milo Gjukanoviq 37,2 për qind. Në vend të dytë është kandidati i Lëvizjes Evropë tani, Jakov Milatoviq me 26,6 për qind, derisa i treti është kandidati i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq me 19,8 për qind.

Aleksa Beçiq nga Mali i Zi Demokratik ka marrë 11.5 për qind, kandidatja e PSD-së Draginja Vuksanoviq Stankoviq 2.9 për qind, Goran Danilovic nga Mali i Zi i Bashkuar 1.3 për qind dhe kandidati i pavarur Jovan Radulloviç 0.7 për qind.

Sipas legjislacionit zgjedhor në këtë shtet për t'u zgjedhur në raundin e parë ndonjë nga kandidatët duhet të fitojë mbi 50 për qind të votave. Nëse asnjë prej kandidatëve nuk merr numrin e nevojshëm të votave, raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet për 14 ditë, pra më 2 prill.

Në raundin e dytë marrin pjesë dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota. Presidenti i shtetit zgjidhet me mandat pesë vjeçar.

Të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi kanë 542.154 qytetarë.

Zgjedhjet sot u monitoruan nga vëzhgues të misionit të OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe misionit vëzhgues të Parlamentit Evropian si dhe vëzhgues të organizatave joqeveritare lokale.

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR