Reznikov: Lufta mund të zgjasë gjatë, do të kemi humbje të dhimbshme, por në fund do të fitojmë
- Ministri ukrainas i Mbrojtjes Aleksej Reznikov sot deklaroi se lufta me Rusinë mund të zgjasë gjatë dhe me humbje të dhimbshme për palën ukrainase, por se Ukraina përfundimisht do të fitojë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 16:57, 22 gusht, 2023
Kiev, 22 gusht 2023 (MIA) - Ministri ukrainas i Mbrojtjes Aleksej Reznikov sot deklaroi se lufta me Rusinë mund të zgjasë gjatë dhe me humbje të dhimbshme për palën ukrainase, por se Ukraina përfundimisht do të fitojë.
"Kemi një armik shumë tinëzar. Lufta mund të jetë e gjatë, sepse është një maratonë e vërtetë. Fillimisht do të kemi humbje të dhimbshme. Për t'i mposhtur rusët dhe për të mos e bartur këtë problem tek gjeneratat e ardhshme, duhet të kuptojmë se gjëja kryesore është furnizimi i armëve", theksoi ministri, duke folur në "Forumin e VI Ndërkombëtar të Veteranëve", raportoi TSN.
Sipas tij, fitorja nuk lidhet vetëm me deokupimin e territorit, por, siç deklaroi, është e rëndësishme që të bëhet gjithçka që pushtuesit të mos mendojnë të kthehen kurrë.
"Megjithatë, është një detyrë e vështirë. Shumë njerëz në botë ende besojnë se kjo është e pamundur. Megjithatë, ukrainasit kanë dëshmuar tashmë se kanë një ide tjetër se çfarë është e mundur, e çfarë është e pamundur, kështu që ne me siguri do të fitojmë", tha ministri ukrainas i Mbrojtjes.
Reznikovi tha se nëse vitin e kaluar Ukraina kishte nevojë për armë për të mbijetuar, tani çelësi i fitores së Ukrainës është "ajo që njerëzit e ndjejnë" - unitet dhe gatishmëri për luftë.
Foto: Arkivi i MIA-s