• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

REL: Takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit të dielën ose të hënën në Bruksel

REL: Takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit të dielën ose të hënën në Bruksel
Beograd, 18 nëntor 2022 (MIA) - Ftesa e Bashkimit Evropian për  kryeministrin  e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq që të vijnë në Bruksel për një takim të nivelit të lartë për të gjetur një zgjidhje për situatën më të rëndë që nga viti 2013, ka mbërritur në zyrën e Vuçiqit, ku u konfirmua se ftesa kishte mbërritur por se nuk dihet se kur do të mbahet takimi dhe nëse presidenti do të marrë pjesë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi. "Takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksanadar Vuçiq do të zhvillohet të dielën më 20 nëntor ose më së voni të hënën më 21 nëntor", njoftoi Radio Evropa e Lirë (REL) nga burime të sigurta në Bruksel. Data e saktë do të varet nga konfirmimi i liderëve, pra sipas burimeve evropiane nga logjistika dhe disponueshmëria e palëve. Nëse mbledhja mbahet të dielën, do të jetë pasdite, dhe nëse zhvendoset për të hënën, atëherë liderët do të takohen në mëngjes. Presidenti serb konfirmoi në mënyrë indirekte se do të marrë pjesë në takim, përmes një postimi në Tuiter nga vizita e tij në Athinë me kryeministrin grek Konstantin Micotakis, ku është duke mbajtur një darkë pune. "Për të qenë pak personal, sigurisht që vizita në Athinë është më e dashur për mua sesa ajo që vjen pas saj...", ka shkruar Vuçiq, duke aluduar në takimin në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kurti dhe Vuçiq janë ftuar në Bruksel për dialog në nivelin më të lartë, tha sot zëdhënësi i BE-së, Petar Stano. "Ajo që është e re është se ne i ftuam të dy në Bruksel për të gjetur një zgjidhje evropiane, një rrugë evropiane për të dalë nga situata aktuale e cila është një nga më të rëndat që nga viti 2013. Dhe ky është qëllimi. Siç thashë, i ftuam në Bruksel për të diskutuar për gjetjen e një rrugëdaljeje. Shpresojmë që ata të vijnë shumë shpejt, që ne ta zgjidhim çështjen para 21 nëntorit dhe jo më pas, siç tha përfaqësuesi i lartë i BE-së (Zhozep Borrell)", tha Stano. Takimi i dy liderëve do të bëhet para datës 21 nëntor (e hënë), kur fillon vendimi i autoriteteve të Kosovës për penalitete për pronarët e automjeteve me targa serbe. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR