• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

REL: Aeroplani me të cilin besohet se shefi i CIA-s ka udhëtuar në rajon ka ateruar në aeroportin e Prishtinës

REL: Aeroplani me të cilin besohet se shefi i CIA-s ka udhëtuar në rajon ka ateruar në aeroportin e Prishtinës

Prishtinë, 22 gusht 2024 (MIA) - Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Uiliam Bërns, sot është duke qëndruar për vizitë në Kosovë më 22 gusht, me ç'rast është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në atë takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, raportin Radio Evropa e Lirë.

Vizita e tij në Kosovë vjen pasi zyrtari i lartë i inteligjencës amerikane qëndroi në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.

Paraprakisht, Ambasada amerikane në Prishtinë nuk konfirmoi vizitën e Bërnsit në Kosovë. Radio Evropa e Lirë nuk mori konfirmim as nga Presidenca e Kosovës, e as nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Por, aeroplani i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar shefi i CIA-s në rajon, u pa mesditën e së enjtes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari". Ekipi i Radios Evropa e Lirë e fotografoi aeroplanin e ushtrisë amerikane të ndalur para zonës “VIP” të Aeroportit.

Me këtë aeroplani besohet se Bërns ka udhëtuar nga Sarajeva në Beograd, ndërkaq, më 22 gusht ky aeroplan udhëtoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flajtradar.

Në Bosnjë e Hercegovinë më 20 gusht, Bërns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.

Ndërkaq, më 21 gusht shkoi në Beograd, por kjo vizitë nuk u konfirmua dhe as u mohua nga zyrtarët në Serbi dhe SHBA.

Vizita e Bërnsit në rajon vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Bërns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Xho Bajden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

Ai u emërua nga presidenti Bajden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR