• e enjte, 26 dhjetor 2024

Reagime në Shqipëri për zhvillimet në Kosovë - Begaj: Asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit

Reagime në Shqipëri për zhvillimet në Kosovë - Begaj: Asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit

Tiranë, 30 maj 2023 (MIA) - Pas zhvillimeve të fundit në Kosovë, ka reaguar kreu shqiptarë, ministrat dhe liderët e partive politike.

Presidenti shqiptar Bajram Begaj në reagimin e sotëm dënon ashpër "keqpërdorimin e popullsisë serbe të veriut të Kosovës dhe dhunën e papranueshme ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it".

Në reagimin në rrjetet sociale Begaj thekson se "asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, që tregon rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve të hapura dhe normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë",

"Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike. Publikisht e përsëris thirrjen time vëllazërore deri te autoritetet kosovare për më shumë durim dhe maturi dhe sidomos koordinim të ngushtë me partnerët tanë", ka shkruar Begaj.

Më herët ka reaguar kryeministri Edi Rama duke u bërë thirrje burrështetasve të Kosovës që t'i dëgjojnë aleatët "për të mos hyrë më thellë në rrugën e rrezikshme". Sipas tij, “sa më gjatë të zgjasë ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova”.

Ndër të tjera, shefja e diplomacisë, Olta Xhaçka, në reagim ka thënë se “dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është rruga për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe njohje reciproke që do të sigurojë stabilitet të përhershëm në rajonin tonë”.

Reagoi edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili shprehu shqetësimin për situatën, duke shtuar se “dënon fuqishëm dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të KFOR-it, të cilët po përpiqen të garantojnë sigurinë e qytetarëve atje”.

"Dialogu dhe ulja e tensioneve janë zgjidhja e vetme për bashkëjetesë të mirë dhe stabilitet në rajon",tha Peleshi.

Ish-kreu i shtetit shqiptar dhe lideri aktual i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në reagimin e tij në rrjetet sociale shprehet se “dënon me forcë sulmet e paprovokuara dhe tërësisht të pajustifikuara ndaj forcave të KFOR-it, ndaj gazetarëve dhe institucioneve. 

Thekson se "As KFOR dhe as policia e Kosovës nuk kanë sulmuar asnjë qytetar të asnjë etnie".

"Në interesin më të mirë të qytetarëve, palët duhet të tregojnë vetëpërmbajtje, që do të ç'tensiononte situatën e konfliktit, e cila, më së shumti duket të jetë e nxitur nga synimet e aktorëve të tretë, që duan të ketë jo paqe të qëndrueshme, por konflikt të vazhdueshëm dhe destabilitet. Vuçiçi duhet ta largojë ushtrinë nga kufiri i Kosovës. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të mos cënohet në suksesin e tij", nënvizon Meta.

Sipas tij "Shqipëria do të jetë gjithmonë dhe pa kushte në krahun e Kosovës dhe në krahun e NATO-s për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon". ls/

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR