• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Raportuesja e KB-së për Gazën: Asnjëherë nuk kam menduar se do të dëshmoj për urinë masive në përmasa të tilla

Raportuesja e KB-së për Gazën: Asnjëherë nuk kam menduar se do të dëshmoj për urinë masive në përmasa të tilla

Nju-Jork, 16 janar 2024 (MIA) - Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara (KB) për territoret palestineze Françeska Albaneze, sot theksoi se bota është dëshmitare e "urisë masive" në Gazë, ku më shumë se gjysma e 2,3 milionë banorëve përballen me pasiguri në sigurimin e ushqimit për shkak të bllokadës dhe bombardimit të Izraelit i cili zgjat nga tetori i vitit të kaluar, transmeton Anadolli. 

"Asnjëherë nuk kam menduar se do të jemi dëshmitarë të urisë masive me përmasa të tilla në shekullin 21. Megjithatë, ja e kemi në Gazë, pas 100 ditë bombardime, me mungesë të ushqimit, karburanteve dhe ujit", shkroi Albaneze në rrjetin social X.

Ajo thotë se se pari po vdesin fëmijët, ndërsa pastaj të rriturit. 

"Para syve tanë. I lus izraelitët: 'Nuk mund ta ndalojmë këtë pa ju. Plotësisht e pranoj dhimbjen tuaj të vazhdueshme, duke përfshirë edhe pengjet që ende janë në Gazë. Ju lutem, mos e anashkaloni shkatërrimin e bërë në Gazë, veçanërisht të fëmijëve të saj, gjysma e popullatës së robëruar në këtë tmerr. Kjo nuk e bën askënd më të sigurt", vlerësoi Albaneze. 

Vërejtjet e saj erdhën një ditë pas deklaratës së përbashkët të dhënë nga Programi Botëror për Ushqim, UNICEF-i dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. 

"Fëmijët në rrezik të lartë për të vdekur nga kequshqyerja dhe sëmundjet kanë nevojë të dëshpëruar për trajtim mjekësor, ujë të pastër dhe shërbime higjienike, por kushtet në terren na pengojnë të arrijmë në mënyrë të sigurtë fëmijët dhe familjet në nevojë," tha drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it Ketrin Rasell.

Drejtoresha ekzekutive e WFP, Sindi Mekejn, paralajmëroi se njerëzit në Gazë janë të ekspozuar në rrezik nga uria në vetëm disa kilometra nga kamionët e mbushur me ushqim. 

"Çdo orë e humbur vë në rrezik shumë jetë", potencoi Mekejn.

Të paktën 24.285 palestinezë janë vrarë, ndërsa 61.154 janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës nga 7 tetori, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë në Gazë. 

Sipas Kombeve të Bashkuara, 85 për qind e popullatës në Rripin e Gazës është zhvendosur për shkak të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, përderisa 60 për qind e infrastrukturës është dëmtuar ose shkatërruar. fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR