• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Rama: Shqiptarët e Italisë janë përbashkuesit kryesorë të të dyja brigjeve të Adriatikut, të cilët nuk ishin detyruar ta ndryshojnë identitetin si bashkëkombësit në Greqi

Rama: Shqiptarët e Italisë janë përbashkuesit kryesorë të të dyja brigjeve të Adriatikut, të cilët nuk ishin detyruar ta ndryshojnë identitetin si bashkëkombësit në Greqi

Tiranë, 26 maj 2024 (MIA) - Kryeministri shqiptar Edi Rama, me takimin e sotëm në Milano, i vazhdon aktivitetet e planifikuara me diasporën shqiptare, të cilat i filloi nga Athina.

Në fillim të paraqitjes së tij ka thënë se ndjehet i prekur nga mikpritja e bashkëkombësve të tij, duke theksuar se "shqiptarët në Itali janë përbashkuesit kryesorë dhe bashkuesit më meritorë të të dyja brigjeve të Adriatikut".

"Dua që ta dini më ka emocionuar tej masa vala e nxehtë e përshëndetjeve dhe ftesave të shumë shqiptarëve që më kanë shkruar menjëherë sapo mbaroi takimi në Athinë për t’i vizituar në të katër anët e Italisë. Mirënjohje pa fund për dëshirën e madhe për të më takuar. Një përqafim të gjithëve kudo ku janë nga kjo arenë e mrekullueshme ku flamujt kuqezi dhe tringjyrëshi italian dëshmojnë lidhjen e përjetshme mes dy popujsh që në dhjetëra shekuj i ka bashkuar një det i tërë historie në këtë pellg të Mesdheut", tha Rama.

Rama theksoi se shqiptarët e Italisë janë shëmbëlltyra më rrezatuese e pararojave shqiptare të ribashkimit me Evropën.

"Ju, jo politika, jo medie, as biznesi. Ju jeni përbashkuesit më kryesorë të dy brigjeve të Adriatikut në një hapësirë të vetme marrëdhëniesh të gjithanshme. Ju jeni fuqia më e madhe e rikthimit të Arbërisë së vjetër dhe Shqipërisë së re në shtratin natyral të Shqipërisë evropiane", tha Rama.

"Ju jeni krenaria shqiptare e mishëruar në suksesin frymëzues për misionin tonë kombëtar të bashkimit përfundimtar me Europën demokratike. Sot kjo duket gjëja më e natyrshme në botë por dje kjo dukej gjëja më e pamundur”, shtoi kryeministri.

Duke folur për eksodin e madh të viteve ’90 drejt Italisë, Rama u shpreh se "ju u bëtë bartësit e fillesës tronditëse të këtij misioni historik mbi anijet e ndryshkura të Shqipërisë  komuniste".

Kryeministri kujtoi po ashtu se si në vitet e ’90 "shqiptari ndihej si person në kërkim në Itali për fajin e vetëm që ishte shqiptar".

"Të gjithë ata që e kanë shkelur Italinë në vitet ’90 e kujtojnë këtë zile alarmi. ‘Ishte një shqiptar’ ishte avazi që shponte veshin kur dëgjohej, qëronte syrin kur lexohej dhe ulte kokën e shqiptarëve në çdo mjedis ku shqiptari duhet jo thjesht ta fshihte, por mundësisht ta harronte fare të qenit shqiptar për t’u pranuar si njeri i zakonshëm", u shpreh Rama. fc/

Fotografia: Fejsbuku i Ramës (printskrin)

QËNDRONI TË LIDHUR