• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Rama për arrestimet e SPAK-ut: Ata që i kanë duart e pista po fshihen, politika po rinovohet

Rama për arrestimet e SPAK-ut: Ata që i kanë duart e pista po fshihen, politika po rinovohet

Tiranë, 21 tetor 2024 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur në ngjarjen "Deputeti siç duam", ndër tjera iu referua arrestimeve të fundit me urdhër të Prokurorisë së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, megjithëse nuk përmendi emra.

Rama gjatë fjalimit të tij tha se sot "politika shqiptare është në një moment delikat, ku një pjesë është degraduar, ndaj ata me duar të pista po fshihen, për t’i hapur rrugën rinovimit".

"Duart e pastra bëjnë një gjë, duart e pista bëjnë një tjetër, duart e hapura bëjnë një gjë, duart e fshehura bëjnë një tjetër. Domethënë, duhet shumë forcë, shumë fuqi e brendshme për të mos u dorëzuar, sepse politika sot në Shqipëri është në një moment degradimi, siç është në të njëjtën kohë edhe një moment transformimi. Kjo është si një trup që ka kaluar në një fazë të caktuar dhe tani po fillon të riformësohet sepse ka një pjesë shumë të degraduar të vetvetes dhe ka një nxitje të brendshme për t'u rinovuar. Partia Socialiste ka për detyrë ta shtyjë këtë rinovim. PS është partia më e vjetër dhe më e re në Shqipëri, kjo është arsyeja pse PS fitoi dhe do të fitojë sërish", tha Rama.

Shtoi se të jesh një forcë me historinë nuk është dobësi, por një kapacitet shumë i rëndësishëm që mund ta vësh në dispozicion të shtetit.

"Por, kur dominon një forcë me histori të kaluar, e e ardhmja shihet me sytë e së shkuarës, atëherë ajo forcë është e vjetërsuar. Por kur një forcë me histori është e ardhmja që dominon pamjen, ndërsa e kaluara shihet me sytë e së ardhmes, atëherë kjo është një forcë sa e vjetër aq edhe e re. Përpjekja për ta kthyer këtë në një mënyrë jetese dhe një mënyrë bashkëpunimi me Shqipërinë është e nevojshme. Kam një lajm të mirë, tranzicioni në Shqipëri ka përfunduar. Shqipëria sot është në tryezën ku po negocion për integrim në BE", tha ai.

Për mua, theksoi, java e kaluar ishte momenti më historik që kur u erdha në funskion si kryeministër, "moment historik për të treguar atë që duhej të heqim nga kurrizi si barrë nga momentet e kaluara, për të treguar se jemi një fuqi që mund të garantojmë të ardhmen". rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR