• e enjte, 26 dhjetor 2024

Rama për Ahmetajn: Ajo dosje ka dyshime të mjaftueshme, nuk do të toleroj askënd

Rama për Ahmetajn: Ajo dosje ka dyshime të mjaftueshme, nuk do të toleroj askënd

Tiranë, 14 korrik 2023 (MIA)- Kryeministri Edi Rama ka dalë me një deklaratë për opinionin publik pak orë pasi Kuvendi votoi pro heqjes së mandatit të deputetit Arben Ahmetajt duke i hapur rrugë arrestimit të tij pas kërkesës së SPAK-ut. 

Duke iu referuar lajmit se Ahmetaj është zyrtari më i lartë, për të cilin SPAK kërkon arrestimin pas hetimeve, kryeministri foli për reformën në drejtësi, që tha se e ka mbështetur që në fillim. Më parë, shtoi ai, nuk kishte ndodhur që një njeri me pushtet të dilte para drejtësisë si njeri i thjeshtë.

“Sot ne votuam një kërkesë të SPAK-ut për të autorizuar arrestimin e një deputeti i cili ka mbuluar detyra të rëndësishme në qeveritë tona, si ministër dhe zëvendëskryeministër! Kush më ka dëgjuar, qysh në krye të herës besoj duhet ta mbajë mend se e kam kërkuar me shumë ngulm këtë reformë. Kur kam thënë se nuk duam një tjetër arrnë nga ato të mëparshmet për drejtësinë, po duam një përmbysje të sistemit të vjetër të drejtësisë, e kam menduar shumë mirë ç’ka flas dhe kam folur pikërisht atë që kam menduar”, ka thënë Rama në fjalimin e tij.

“Arben Ahmetaj nuk është as një njeri i panjohur dhe as një bashkëpunëtor i largët për mua.  Ai është një ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë për shumë nga vendimmarrjet tona gjatë këtyre viteve. Nuk më takon mua të them nëse Arben Ahmetaj është fajtor apo i pafajshëm. Sepse ndryshe nga atëherë, kur prokuroria erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit, pa bërë asnjë hetim, këtë herë na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë e deputetit, ç’ka mund dhe do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme, për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar prej saj nga kuvendi. Këtu mbyllet çdo koment imi mbi rastin konkret. Tanimë është në dorën e drejtësisë të na e tregojë deri në fund në është një rast fajësie apo pafajësie. Por nuk mbyllet këtu ky mesazh, sepse më duket e udhës t’i rivendos edhe disa pika mbi i”, për këtë rrugë që vazhdon me bekimin e shumicës së shqiptarëve”, ka thënë Rama.

Kuvendi votoi sot me 117 vota pro heqjen e mandatit të deputetit Arben Ahmetajt, duke i hapur rrugë arrestimit të ish zëvendëskryeministrit, pas kërkesës së SPAK-ut.

Tashmë pritet që vendimi të botohet në Gazetën zyrtare. Pritet që SPAK të marrë leje në Gjykatë për të vijuar me arrestimin dhe kontrollin e banesës së Ahmetajt, i cili nuk ndodhet në Shqipëri.

Foto: Printskrin Fejsbuk

 

QËNDRONI TË LIDHUR