• e enjte, 26 dhjetor 2024

Rama i bëri thirrje komunitetit euroatlantik që urgjentisht t’i ulë në tryezën e dialogut Kosovën dhe Serbinë për normalizimin e situatës

Rama i bëri thirrje komunitetit euroatlantik që urgjentisht t’i ulë në tryezën e dialogut Kosovën dhe Serbinë për normalizimin e situatës

Tiranë, 24 shtator 2023 (MIA)- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dënuar sulmin ndaj policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë. Rama thotë se tragjedia e sotme është kambana më e madhe e alarmit për rrezikun e eskalimit dhe komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë me forcë Kosovën dhe Serbinë në tryezën e dialogut të normalizimit

"Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e dialogut të normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin“, thuhet në reagimin e Ramës.

Ka reaguar edhe shefi i shtetit shqiptar, Bajram Begaj duke bërë thirrje ndaj ndërkombëtarëve të reagojnë me vendosmëri ndaj sulmit që cenon rëndë rendin e Kosovës.

"Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur. Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës“, thuhet në reagimin e presidentit Begaj.

 

QËNDRONI TË LIDHUR