• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Rama e zgjeron qeverinë shqiptare me një Ministri

Rama e zgjeron qeverinë shqiptare me një Ministri

Tiranë, 11 janar 2024 (MIA) - Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshim të ri në Qeveri, formimin e Ministrisë së Shtetit për Administratë Publike dhe Antikorrupsion   në krye me  Adea Pirdenin, e cila aktualisht mban postin e zëvendësministres së Drejtësisë. 

Sipas Ramës ky ndryshim vjen në kohën kur Shqipëria është në fazë të re të zhvillimit dhe punon në kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE, të cilat kërkojnë qasje ndaj administraës publike.  

"Në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, pasi sapo ka hedhur me sukses hapin e parë të tyre, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike, për të rritur krahas pagave konkuruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke adresuar të gjitha hallkat e procesit të funksionimit të saj, nga  punësimi deri tek përparimi i të punësuarve, duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre, proceset e punës e të ndërveprimit mes tyre; duke krijuar kushte më të mira e mekanizma të qëndrueshëm për motivimin e për trajnimin e trupës sonë të Shërbimit Civil", ka shkruar Rama në platformën X.

Po ashtu , shton është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen. 

"Për ta nxitur këtë qasje të re dhe adresuar sfidat e mësipërme, do t’i dërgoj Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni, e cila ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zëvendësministres së Drejtësisë dhe ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zëvendëskryenegociatores me Bashkimin Europian", thekson Rama. 

Ky ndryshim vjen disa ditë pasi kryeministri shqiptar njoftoi formimin  e Ministrisë së re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me në krye Blendi Gonxhen. 

 Me këtë ndryshim në qeveri u përgjiysmua edhe përgjegjësia e Ervin Metes, vetëm gjashtë muaj pasi u bë ministër i Ekonomisë dhe Financave, i cili mbeti vetëm meFfinancat dhe u largua  ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila në këtë funksion ka qenë nga që nga viti 2018. 

Pas nënshkrimit të dekretit nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, propozimet vetëm formalisht do të kalojnë  në seancën e Kuvendit, duke qenë se shumica në pushtet ka numrin e duhur të deputetëve. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR