• e martë, 12 nëntor 2024

Rama: Çdo alternativë jashtë planit franko-gjerman është lojë me zjarrin

Rama: Çdo alternativë jashtë planit franko-gjerman është lojë me zjarrin

Tiranë, 13 shtator 2023 (MIA) - Në vigjilje të takimit të nesërm në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vlerëson se “çdo alternativë tjetër, përveç zbatimit të menjëhershëm, gjithëpërfshirës, të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është lojë me zjarrin”, njofton Zëri i Amerikës, transmeton Ora njuz.

Rama thekson se “kush luan do të digjet i pari, po akoma më keq, në fund do të përvëlohet krejt rajoni, po nuk do të shpëtojë pa u përcëlluar edhe vetë Europa”, ndërsa uron që takimi i radhës “të mos të jetë një tjetër xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”.

"Kryeministri shqiptar i ka qëndruar linjës së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian duke kritikuar haptazi qëndrimet e autoriteteve të Kosovës, aq sa në muajin qershor ai anulloi mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, duke çuar në një ftohje të marrëdhënieve me kryeministrin Kurti. Dhe tani Rama thotë se është në një mendje me partnerët ndërkombëtarë “për nevojën e zbatimit rigoroz të gjithçkaje për të cilën shteti i Kosovës është zotuar. Qeveritë venë e vijnë, por shtetet serioze nuk venë e vijnë në zotimet e tyre ndërkombëtare njësoj si qeveritë”, thekson burimi i njejtë.

Megjithatë Rama saktëson se qëndrimet e tij nuk duan të thonë se: “Shqipëria e sheh Kosovën si të vetmen përgjegjëse për futjen e dialogut në qorrsokak".

"Assesi jo. Kosova bëri një hap të konsiderueshëm në drejtimin e shumëpritur, duke e pranuar planin franko-gjerman pa referencë për njohjen reciproke dhe duke pranuar po ashtu, propozimin e vetë-menaxhimit për komunitetin serb. E kam duartrokitur menjëherë Albin Kurtin për këtë hap edhe publikisht, jo vetëm personalisht. Tani është koha që edhe Serbia të dalë nga llogorja e asburdit të mohimit të realitetit dhe të veprojë në mirëbesim, duke mundësuar një sekuencë zbatimi që i përmbush nevojat e të dyja palëve në kuadër të planit franko-gjerman”, thotë Rama.

Ai dyshon se strategjia e Beogradit është të vonojë proçesin dhe të përfitojë sa më shumë nga taktikat vetëdëmtuese të Prishtinës, të cilat e kanë ndihmuar vijimësisht viktimizimin e Serbisë në arenën ndërkombëtare”. mb/

Foto: Fejsbuk

 

QËNDRONI TË LIDHUR