• e premte, 27 dhjetor 2024

Radev: Bullgaria nuk do të njohë referendumet në rajonet e Ukrainës nën kontrollin rus

Radev: Bullgaria nuk do të njohë referendumet në rajonet e Ukrainës nën kontrollin rus
Sofje, 23 shtator 2022 (MIA) - Bullgaria nuk do t'i njohë referendumet që filluan sot në rajonet e Ukrainës që janë nën kontrollin rus, tha presidenti bullgar Rumen Radev. Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, sipas presidentit bullgar, referendumet në një zonë luftarake, ku predhat bien pranë kutive të votimit, janë absurditet ligjor dhe Bullgaria nuk do t'i njohë ato. Edhe pse aktualisht nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për sigurinë e Bullgarisë, këto rreziqe po vlerësohen dhe po merren masa për minimizimin e tyre. Bullgaria po punon shumë për të garantuar sigurinë e saj duke forcuar kapacitetet e mbrojtjes kombëtare dhe duke përmbushur detyrimet në sistemin e sigurisë kolektive të NATO-s, theksoi Radev. Vendimi i presidentit të Federatës Ruse për mobilizim të pjesshëm do të rrisë intensitetin e armiqësive, do të përshkallëzojë konfliktin dhe do të përbëjë një kërcënim për sigurinë me pasoja të vështira për t'u parashikuar, beson Radev. Aktualisht, sipas tij, nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për sigurinë e vendit, por Bullgaria, si një anëtare e përgjegjshme e Bashkimit Evropian, është pjesë e politikës së jashtme të përbashkët dhe mbështet regjimin e sanksioneve të Unionit, edhe pse është ndër më të prekurat. Përshkallëzimi i konfliktit mund të ndikojë jo vetëm në furnizimin me gaz, por edhe në furnizimet e naftës dhe prodhimin e karburantit në vend. Kjo përfshin funksionimin e termocentraleve të mëdha, dërgesat nga deti... "Gjithë kjo në përgjithësi,  e dimë se çfarë do të thotë - thellim i krizës ekonomike dhe sociale", tha presidenti bullgar Rumen Radev. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR