• e shtunë, 23 nëntor 2024

Qeveritë e disa vendeve u angazhuan për evakuimin e personelit të tyre diplomatik dhe qytetarëve nga Sudani

Qeveritë e disa vendeve u angazhuan për evakuimin e personelit të tyre diplomatik dhe qytetarëve nga Sudani

Bruksel, 23 prill 2023 (MIA) - Qeveritë e disa vendeve janë në garë për të evakuuar personelin e tyre diplomatik dhe qytetarët nga Sudani, ku luftimet mes gjeneralëve kundërshtarë po vazhdojnë për të nëntën ditë radhazi, njoftuan agjencitë botërore.

Luftimet e ashpra po zhvillohen sot në Omdurman, një qytet përtej Nilit nga kryeqyteti Kartum, thanë banorët. Dhuna vazhdon pavarësisht armëpushimit të shpallur.

Forcat speciale të SHBA-së herët sot evakuuan me shpejtësi rreth 70 anëtarë të personelit diplomatik nga Kartum në një vend të pazbuluar në Etiopi. Megjithëse zyrtarët amerikanë thanë se ishte ende shumë e rrezikshme për të kryer një evakuim masiv të koordinuar të qytetarëve privatë, disa vende të tjera nxituan të largonin shtetasit dhe diplomatët e tyre nga vendi.

Franca, Greqia, Turqia dhe vende të tjera evropiane njoftuan sot se po organizojnë evakuimin e punonjësve të ambasadave të tyre dhe qytetarëve të tjerë së bashku me disa shtetas nga vendet e tjera aleate. Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme franceze tha se Franca po kryen operacionin me ndihmën e partnerëve të saj evropianë.

Holanda ka dërguar dy avionë Herkules C-13 dhe një Erbas A330 në Jordani në përgatitje për një mision të mundshëm shpëtimi.

Italia dërgoi avionë luftarakë në Xhibuti në Gjirin e Adenit për të përgatitur evakuimin e 140 italianëve nga Sudani, shumë prej të cilëve tashmë ishin strehuar në ambasadë. Ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, deklaroi se njësia e krizës pranë Ministrisë është në kontakt me qytetarët e bllokuar.

Belgjika po punon me Francën dhe Holandën për të evakuuar qytetarët belgë nga Sudani për shkak të luftimeve të vazhdueshme atje, raportoi DPA. Agjencia i referohet një postimi në Tuiter të ministrit belg të Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Tregtisë së Jashtme dhe Institucioneve Federale të Kulturës, Haxha Labib.

Disa operacione janë duke u zhvilluar për të evakuuar qytetarët evropianë nga Sudani "sa më shpejt të jetë e mundur", tha Labib. Ajo tha se nëse ka shtetas belgë në Sudan që ende nuk janë evakuuar, ata duhet të kontaktojnë shërbimet diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur.

Turqia planifikon të evakuojë sot shtetasit e saj nga Sudani, njoftoi Ministria e Jashtme turke, duke thënë se ata do të evakuohen nga trafiku tokësor përmes një vendi të tretë, gjë që nuk u specifikua.

Sipas raportimeve, planet e evakuimit përfshijnë edhe shtetas të vendeve të treta, të cilët kanë kërkuar ndihmë nga Turqia.

Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë njoftoi se në bashkëpunim me organet kompetente të KB-së, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Turqisë, sot filloi evakuimi i shtetasve serbë nga Sudani.

Luftimet midis forcave të armatosura sudaneze dhe grupit të fuqishëm paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë kanë paralizuar aeroportin ndërkombëtar, kanë shkatërruar disa avionë civilë dhe të paktën një pistë, dhe kanë nxjerrë jashtë shërbimit aeroportet e tjera në të gjithë vendin. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR