• e mërkurë, 21 janar 2026

Qeveria e Kubës kumton se 32 ushtarë të saj u vranë gjatë sulmit amerikan ndaj Venezuelës

Qeveria e Kubës kumton se 32 ushtarë të saj u vranë gjatë sulmit amerikan ndaj Venezuelës

Havana, 5 janar 2026 (MIA) - Tridhjetë e dy pjesëtarë të forcave të sigurisë kubaneze janë vrarë gjatë sulmit ushtarak amerikan në Venezuelë, njoftoi mbrëmë qeveria kubaneze, raporton DPA.

SHBA sulmoi caqe në Venezuelë, rreth orës 2 të mëngjesit sipas kohës lokale duke kapur presidentin Nikolas Maduro dhe gruan e tij, Silia Flores dhe duke i nxjerrë nga vendi.
Ushtarët kubanë u dërguan në këtë vend të Amerikës së Jugut me kërkesë të autoriteteve venezueliane, kumtoi qeveria kubaneze.

"Besnikë ndaj përgjegjësive të tyre për sigurinë dhe mbrojtjen, bashkatdhetarët tanë e përmbushën detyrën e tyre me dinjitet dhe heroizëm dhe ranë pas rezistencës së ashpër, në luftimet e drejtpërdrejta kundër pushtuesve ose si rezultat i bombardimit të objekteve", thuhet në komunikatën e publikuar nga agjencia gjermane.

Presidenti kubanez, Migel Diaz-Kanel shpalli dy ditë zie kombëtare.

“Nder dhe lavdi luftëtarëve të guximshëm kubanë që vdiqën duke u përballur me terroristët me uniforma imperialiste, të cilët rrëmbyen dhe larguan ilegalisht nga vendi i tyre presidentin e Venezuelës dhe gruan e tij”, shkroi ai në X.

Maduro për momentin po mbahet në një qendër paraburgimi në Nju Jork, ku do të dalë para gjyqit për akuza të shumta, duke përfshirë komplot për narkoterrorizëm dhe komplot për import të kokainës.

I pyetur nëse Kuba mund të jetë e radhës pas operacionit dramatik ushtarak amerikan në Karakas, presidenti amerikan Donald Tramp pranoi rastet e vdekjes midis kubanezëve.

"E dini, shumë kubanë u vranë dje. E dini këtë, shumë kubanë u vranë", u tha ai gazetarëve në aeroplanin "Er fors Uan", transmeton DPA.

“Pati shumë raste të vdekjes nga ana tjetër, nuk pati raste të vdekjes nga ana jonë. Por shumë kubanë u vranë dje në përpjekje ta mbronin atë”, tha ai duke iu referuar Maduros.

Më parë, Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio e përshkroi qeverinë e Kubës si një “problem të madh”.

Rubio tha në një intervistë për En-Bi-Si Njuz (NBC Neës), se nuk donte të spekulonte mbi “hapat e ardhshëm”.

“Por nuk mendoj se është mister që ne nuk jemi tifozë të mëdhenj të regjimit kuban i cili meqë ra fjala, është ai që mbështeti Maduron”, tha sekretari amerikan i shtetit.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR