• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Qeveria e Kosovës i shpalli terroriste dy organizata të serbëve në Kosovë

Qeveria e Kosovës i shpalli terroriste dy organizata të serbëve në Kosovë

Prishtinë, 29 qershor 2023 (MIA) - Qeveria e Kosovës solli vendim për t'i shpallur terroriste organizatat "Mbrojtja civile" dhe "Brigada e Veriut", të cilat veprojnë në veri të Kosovës i cili është i populluar me popullatë serbe, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme tha se ato organizata paraqesin "kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës".

"Bazuar në vlerësimin e institucioneve të sigurisë, këto formacione ilegale paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë", tha Kurti.

Ndër shkaqet të cilat i numëroi për shpalljen e sy organizatave për terroriste, ai tha se ato organizata e kanë organizuar "regrutimin dhe trajnimin e pjesëtarëve të vet për përdorim të armëve të zjarrit dhe metodave ushtarake në baza ushtarake në Serbi" dhe kanë organizuar sulme ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

"Për këtë e nisur nga fakti se kërcënimi ndaj rendit juridik e kushtetues ndaj vendit tonë është i pakompromis e duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve pa dallim, 'Mbrojtja Civile' dhe 'Brigada e Veriut' shpallen organizata terroriste", u shpreh ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se po punohet në identifikimkin e atyre të cilët e rrezikojnë kushtetutshmërinë, legjitimitetin dhe sigurinë e Kosovës dhe i akuzoi qeveritë e kaluara se i kanë toleruar grupet të cilat kanë kryer veprime të tilla.

Këtë propozim të Qeverisë së Kosovës e kundërshtoi ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili kërkoi nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që ta rishqyrtojë propozimin, e të mos "merren vendime të ngutshme".

"Disa propozime janë të ngutura dhe mendoj se duhet të ecim me shumë kujdes. Me respekt ndaj jush ministër, ju jeni punëtor. Ju lus që nëse ka mundësi sërish të mendoni që edhe një herë të shohim këtë propozim dhe vendim, sepse frikësohem se do të ndahemi nga bashkëbiseduesit tanë në veri. Qasja e tillë do të na largoj shumë", tha Rashiq.

Kurti e emëroi Rashiqin ministër për Komunitete dhe Kthim, pasi që në nëntor të vitit të kalaur partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista sërpska, vendosi ta braktisë koalicionin qeveritar, si dhe t'i bojkotojë Parlamentin dhe institucionet e tjera shtetërore dhe lokale të Kosovës. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR