• e premte, 27 dhjetor 2024

Qeveria e Kosovës e mohon se qëndron pas lajmit të rremë për shkarkimin e Eskobarit si emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor

Qeveria e Kosovës e mohon se qëndron pas lajmit të rremë për shkarkimin e Eskobarit si emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor

Prishtinë, 9 maj 2024 (MIA) - Qeveria e Kosovës e mohon se lajmi për përfundimin e mandatit të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar rrjedh prej saj, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Përgjigja e Qeverisë kosovare, e dhënë për radion Zëri i Amerikës, vjen pasi vetë Eskobar deklaroi sot se disa dezinformata për të dolën pak kohë pasi ai komunikoi me Qeverinë e Kosovës, për të diskutuar lidhur me kalimin e tij në një detyrë tjetër në Departamentin amerikan të Shtetit pas përfundimit të mandatit të tij.

"Nuk kemi ndonjë kontakt me gazetarin në fjalë, me të cilin nuk ndajmë qëndrim sa i përket pretendimeve të tij në lidhje me emisarin Eskobar”, thuhet në përgjigjen e qeverisë, pasi Eskobari deklaroi se shkrimet për "shkarkimin" e tij janë "dezinformata" të prodhuara nga "një i ashtuquajtur gazetar".

Shkrimet, sqaroi emisari amerikan, dolën pasi ai kishte kontaktuar me qeveritë në rajon që të bisedojnë për transferimin e tij në punë tjetër në Departamentin e Shtetit pas përfundimit të mandatit të tij.

"Ky raportim doli pak kohë pasi unë komunikova me qeverinë e Kosovës...Dua të them drejtpërdrejt se çdo gjë në atë raportim është gënjeshtër dhe vërtetueshëm gënjeshtër", tha Eskobar.

Në përgjigjen të cilën para disa ditëve e dha për Gazetën Express Departamenti Amerikan i Shtetit kanë konfirmuar se zëvendësndihmësi i sekretarit të shtetit dhe emisarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, i cili ka shërbyer si diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm për tri vite, pritet të marrë detyrën e tij të ardhshme në javët në vijim.

Departamenti i Shtetit i mohon shkrimet e publikuara në një ueb-faqe duke i kualifikuar si të rreme, dhe kanë konfirmuar se Eskobar nuk është shkarkuar nga pozita e tij, por se thjeshtë "si të gjithë zyrtarët e karrierës që janë pjesë e Shërbimit të jashtëm do të ndërrojë detyrën e tij me rotacion, çdo katër vjet, si një praktikë e rregullt". fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR