• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Qëndrimi i "Vlen" për Memorandumin ndërmjet Qeverisë dhe BNJVL-së

Qëndrimi i

Shkup, 14 gusht 2024 

Pas 23 vitesh stagnim, decentralizimi përfundimisht po realizohet. Sot dëshirojmë të shprehim kënaqësinë tonë për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit dhe Mirëkuptimit midis Qeverisë dhe Shoqatës së Komunave – Bashkimi i Njësive të Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BNJVL). Ky Memorandum është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të decentralizimit dhe zhvillimit të sistemit të vetëqeverisjes lokale në vendin tonë.

Koalicioni VLEN ka qenë gjithmonë një mbështetës i fuqishëm i procesit të decentralizimit, duke e parë atë si një nga shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës.

Ne besojmë se decentralizimi i thellë dhe efektiv është çelësi për forcimin e demokracisë lokale dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Memorandumi, i cili paraqet një angazhim të përbashkët për transferimin e kompetencave dhe resurseve më të mëdha në nivelet lokale të qeverisjes, është një dëshmi e qartë e angazhimit tonë për arritjen e këtij qëllimi. Ne e mirëpresim vendimin për krijimin e një programi vjetor të aktiviteteve prioritare dhe formimin e komisioneve të përbashkëta që do të përfshijnë ekspertë të jashtëm dhe përfaqësues të administratës. Kјо qasje inkluzive dhe analitike do të ndihmojë në adresimin e nevojave reale të komunave dhe do të kontribuojë në përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës në menaxhimin e resurseve publike.

Një element kyç i Memorandumit është angazhimi për sigurimin e më shumë fondeve buxhetore për komunat, të bazuara në të ardhurat nga taksat dhe TVSH. Koalicioni VLEN e mbështet fuqishëm këtë strategji dhe e sheh atë si një mundësi për forcimin e njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ndihmën në zhvillimin e projekteve kapitale investuese që do të përmirësojnë infrastrukturën dhe cilësinë e jetës për qytetarët tanë.

Për më tepër, jemi të kënaqur që ky Memorandum përfshin angazhimin për konsultime me BNJVL-në në lidhje me të gjitha ndryshimet e mundshme në rregulloret për planifikimin urbanistik dhe ndërtimin. Kjo do të sigurojë që proceset e ndryshimeve ligjore dhe rregullatore të jenë në harmoni me nevojat dhe realitetet e mjediseve lokale.

Koalicioni VLEN do të vazhdojë të mbështesë dhe të ndjekë zbatimin e këtij Memorandumi me kujdes dhe përkushtim. Ne jemi të sigurt se përmes kësaj bashkëpunimi të ngushtë dhe të sinqertë, do të arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë në të gjitha nivelet e qeverisjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Koalicioni "Vlen"

___________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR