Putini ofron 1 miliard dollarë për Bordin e paqes së Trampit për zhbllokimin e aseteve ruse
- Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin ka diskutuar mundësinë e dhurimit të 1 miliard dollarëve për Bordin e paqes të presidentit Donald Tramp, por me kusht që SHBA të zhbllokojë disa nga asetet ruse.
- Post By Fami Bajrami
- 08:25, 23 janar, 2026
Moskë, 23 janar 2026 (MIA) – Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin ka diskutuar mundësinë e dhurimit të 1 miliard dollarëve për Bordin e paqes të presidentit Donald Tramp, por me kusht që SHBA të zhbllokojë disa nga asetet ruse.
Siç njoftoi sot Kremlini, Putini këtë e ka biseduar me të dërguarin special të SHBA-së, Stiv Uitkof dhe Xhared Kushner, njofton Si-En-En.
"Gjatë bisedimeve në Bordin e paqes u theksua gatishmëria jonë për të destinuar 1 miliard dollarë në buxhetin e kësaj organizate nga asetet e ngrira ruse nga administrata e mëparshme amerikane”, deklaroi pas takimit këshilltari i Putinit për politikë të jashtme, Juri Ushakov.
Ai shtoi se pjesa tjetër e fondeve nga ato rezerva të ngrira pas invazionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022, "mund të përdoren për të rindërtuar territoret e goditura nga luftimet". Sipas tij, kjo do të ndodhte vetëm pasi "të përmbyllet marrëveshja paqësore midis Rusisë dhe Ukrainës".
Presidenti amerikan, Donald Tramp e prezantoi Bordin e paqes dje në Davos. Iniciativa u ofron shteteve anëtare vende të përhershme me një kosto prej 1 miliard dollarë. Putini i cili është ftuar t’i bashkohet Bordit, ende nuk ka marrë një angazhim zyrtar, por edhe më parë ka përmendur mundësinë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse për të paguar tarifat e anëtarësimit.
Foto: EPA