• e premte, 23 janar 2026

Putin: Rusia është e gatshme t’i dërgojë 1 miliard dollarë Bordit të paqes për nevojat e popullit palestinez

Putin: Rusia është e gatshme t’i dërgojë 1 miliard dollarë Bordit të paqes për nevojat e popullit palestinez

Moskë, 22 janar 2026 (MIA) - Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, pas bisedimeve të sotme me presidentin palestinez Mahmud Abas në Moskë, deklaroi se Rusia është e gatshme të dërgojë një miliard dollarë në Bordin e paqes në Gazë për të mbështetur popullin palestinez.

Në konferencën për shtyp, Putini tha se tashmë janë zhvilluar bisedime me SHBA-në për transferimin e fondeve të ngrira ruse në atë shumë në Bordin e paqes në Gazë të udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Tramp, raportojnë mediat ruse.

"Transferimi i fondeve në Bordin e paqes nga fondet e ngrira ruse është mjaft i mundshëm", tha Putini.

Presidenti rus vlerësoi se vetëm funksionimi i plotë i shtetit palestinez mund të çojë në një zgjidhje në Lindjen e Mesme, si dhe se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Palestinës kanë rrënjë të thella dhe janë të një natyre të veçantë dhe se Rusia është e kënaqur me vazhdimin e kontakteve me Palestinën.

Putini tha se tendenca e rritjes së tregtisë midis Rusisë dhe Palestinës është "e qartë" dhe se qëndrimi i Rusisë për zgjidhjen e Lindjes së Mesme nuk ishte oportunist.

Gjatë bisedimeve me Putinin, presidenti palestinez Mahmud Abas deklaroi se Rusia është një mik i madh i Palestinës dhe se okupimi izraelit po çon në shkatërrim në Rripin e Gazës.

Abasi tha se Palestina kundërshton përpjekjet për të zhvendosur palestinezët nga territori i tyre, duke shtuar se Rusia historikisht mbështetë Palestinën dhe se ndihma financiare nga Moska është me rëndësi të madhe.

"Ajo që na duhet është paqja dhe shpresojmë se me mbështetjen tuaj do ta arrijmë këtë", tha Abas në takimin me Putinin.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR