• e enjte, 26 dhjetor 2024

Putin: Rusia është e gatshme për luftë bërthamore, por nuk nxiton drejt saj

Putin: Rusia është e gatshme për luftë bërthamore, por nuk nxiton drejt saj

Moskë, 13 mars 2024 (MIA) - Rusia ende është në një gjendje gatishmërie luftarake dhe është plotësisht e përgatitur për një luftë bërthamore, por për momentin nuk ka asnjë nxitim për të, tha mbrëmë presidenti rus Vladimir Putin.

Në një intervistë për mediat shtetërore ruse, Putini, i cili filloi një pushtim të gjithanshëm të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022 dhe është pothuajse i sigurt se do të fitojë zgjedhjet presidenciale të 15-17 marsit, tha në intervistë se Rusia do të ishte gati të përdorte armë bërthamore nëse rrezikohej sovraniteti i saj.

"Nga pikëpamja ushtarako-teknike, sigurisht që jemi gati", tha Putini për televizionin "Rusia-1", duke iu përgjigjur pyetjes nëse vendi është vërtet gati për një luftë bërthamore.

Ai shtoi se ShBA e kupton se nëse vendosin trupa amerikane në territorin rus ose në Ukrainë, Rusia do ta trajtojë atë hap si një ndërhyrje.

"Në SHBA ka mjaft ekspertë në fushën e marrëdhënieve ruso-amerikane dhe në fushën e parandalimit strategjik. Prandaj, nuk mendoj se të gjithë këtu po nxitojnë drejt tij (një konflikt bërthamor), por ne jemi gati për të", tha Putin.

Ai përsëriti se përdorimi i armëve bërthamore është specifikuar në doktrinën bërthamore të Kremlinit, politika e të cilit përcakton rrethanat në të cilat Rusia mund të përdorë armët e saj.

"Armët ekzistojnë për t'u përdorur. Ne kemi parimet tona", tha presidenti rus.

Nëse SHBA kryen teste bërthamore, Rusia mund të bëjë të njëjtën gjë, shtoi ai në intervistën e gjatë.

"Nuk është e nevojshme… duhet ende të mendojmë për këtë, por nuk e përjashtoj që mund të bëjmë të njëjtën gjë", tha Putin, duke shtuar se Rusia nuk është përballur kurrë me nevojën për të përdorur armë bërthamore në Ukrainë, ku konflikti është ndezur që nga shkurti i vitit 2022. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR