• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Protesta në mbarë botën arabe në mbështetje të Gazës

Protesta në mbarë botën arabe në mbështetje të Gazës

Kajro, 20 tetor 2023 (MIA) - Protesta në mbështetje të Gazës dhe dënimit të bombardimeve të Izraelit në enklavën e rrethuar janë mbajtur sot në mbarë botën arabe, përfshirë edhe vendet që kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin.

Në Egjipt, ku tubimet publike janë ndaluar që kur ushtria mori pushtetin në vitin 2013, dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Kajros dhe qyteteve të tjera ndërsa autoritetet u përpoqën të përballnin një valë zemërimi publik. Protestat ndodhën gjatë ditës së 14-të të hakmarrjes së Izraelit për sulmin nga Hamasi, më vdekjeprurësi ndonjëherë në historinë 75-vjeçare të Izraelit.

Në Kajro, disa mijëra njerëz u mblodhën në sheshin Tahrir, epiqendra e kryengritjes së vitit 2011 kur nga froni rrëzohet autokrati Hosni Mubarak.

"Populli dëshiron rënien e Izraelit", brohoritën protestuesit duke i shtuar frazën e Pranverës Arabe: "Populli dëshiron rënien e regjimit".

“Nuk jemi këtu për t’i dhënë mandat të ri askujt. Është një demonstrim i vërtetë”, brohoriste turma.

Në Bagdad, mijëra njerëz protestuan duke përfshirë përkrahësit e Hashed al-Shabit, koalicion i fraksioneve të armatosura të afërt me armikun kryesor të Izraelit, Iranin.

Protestuesit u mblodhën në urën që çon drejt Zonës së gjelbër, kompleksit qeveritar dhe diplomatik ku është e vendosur ambasada amerikane. Protestuesit premtuan se do të vazhdojnë me protestat "derisa të hapen rrugët për të dërguar ndihma" në Gaza.

Në Tunizi, mijëra njerëz u mblodhën para ambasadës franceze për të protestuar ndaj mbështetjes së Perëndimit për Izraelin. “Francezët dhe amerikanët janë partnerë në sulmin” kundër palestinezëve, brohoritën ata.

Protestë e ngjashme u mbajt edhe para ambasadës amerikane në periferinë veriore të kryeqytetit, ku protestuesit dogjën flamurin amerikan. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR