• e enjte, 26 dhjetor 2024

Protesta masive në Izrael: Dhjetëra mijëra qytetarë kërkuan dorëheqjen e Netanjahut

Protesta masive në Izrael: Dhjetëra mijëra qytetarë kërkuan dorëheqjen e Netanjahut

Tel Aviv, 8 prill 2024 (MIA) - Dhjetëra mijëra izraelitë protestuan në të gjithë vendin këtë fundjavë kundër qeverisë së Benjamin Netanjahut duke kërkuar përpjekje më serioze për lirimin e pengjeve që Hamasi i mban prej gjashtë muajsh.

Vetëm në Tel Aviv siç raporton Gardian, në rrugë kanë dalë 100.000 persona. Duke brohoritur "zgjedhje tani", protestuesit i kërkuan Netanjahut të japë dorëheqje menjëherë dhe kërkuan zgjedhje.

Mediat lokale njoftuan se një person, dyshohet se me qëllim me makinë ka goditur tre pjesëmarrës në protesta të cilët kanë pësuar lëndime. Policia ndaloi shoferin.

Mitingjet u mbajtën edhe në qytete tjera, ndërsa lideri i opozitës izraelite Jair Lapid mori pjesë në njërin në Kfar Saba para se të largohej në Uashington për bisedime. 

"Asgjë nuk mësuan, nuk ndryshuan", tha ai dhe shtoi: "Derisa t'i dërgojmë në shtëpi, ata nuk do t'i japin këtij vendi një shans për të ecur përpara".

Protestues kishte edhe në Haifa, Ber Sheva, Herclija dhe Cezareja para vilës private të kryeministrit Netanjahu. Aty erdhi deri te përplasja mes policisë dhe protestuesve që po tentonin t'i afroheshin rezidencës.

Protesta për lirimin e pengjeve të Hamasit është mbajtur edhe në Jerusalem.

Kanë kaluar saktësisht gjashtë muaj që kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbyer 250 njerëz.

Sipas informacioneve, 129 persona ende janë në duart e Hamasit. qa/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR