• e enjte, 26 dhjetor 2024

Procesi gjyqësor kundër kryetarit të Strugës Merko është shtyrë për më 8 korrik

Procesi gjyqësor kundër kryetarit të Strugës Merko është shtyrë për më 8 korrik

Strugë, 3 qershor 2024 (MIA) - Në Gjykatën Themelore në Strugë sot filloi procesi gjyqësor kundër kryetarit të Strugës Ramiz Merko për furnizimin e veturës "Audi" nga ana e Komunës së Strugës.

Avokati, para fillimit të debatit kryesor, dorëzoi parashtresë me listë prej 68 dëshmive verbale dhe materiale dhe kërkoi që të shtyhet debati kryesor derisa gjykata t'i sigurojë dëshmitë në detyrë zyrtare, sepse siç tha, ai ka bërë përpjekje, por pa sukses.

"Me dorëzimin e kësaj liste, mbrojtja do të bëjë përpjekje ta hedhë poshtë tezën e prokurorisë publike se i akuzuari ka kryer vepër penale në përgjithësi", është qëndrimi i avokatit të kryetarit Merko. 

Sipas gjykatëses në këtë lëndë, Nadica Mitreska, gjykata do të bëjë përpjekje që në afat sa më të shkurt të mundshëm të sigurohen dëshmitë e nevojshme të mbrojtjes. 

"Seanca është shtyrë sot për shkak se mbrojtja ka dorëzuar një listë të gjerë të dëshmive që gjykata duhet t'i shqyrtojë dhe të marrë dokumente të caktuara nga institucionet kompetente të shtetit dhe normalisht që duhet kohë edhe për prokurorinë edhe për gjykatën. Gjykata do të bëjë përpjekje që në kohën më të shkurtër të mundshme të sigurojë dokumentet e nevojshme për mbrojtjen. Sipas parimit të gjykimit në afat të arsyeshëm dhe efikasitet të procedurës, presim që ky proces gjyqësor të përfundojë sa më shpejt, por sigurisht me respektimin e të drejtave të mbrojtjes", deklaroi gjykatësja Mitreska.

Debati kryesor gjyqësor për këtë lëndë u shtye për më 8 korrik me fillim në orën 13. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR