Princi Uilliam: Ky ishte viti më i vështirë në jetën time
- Princi nga Uellsi e përshkoi vitin e fundit si "vitin më të vështirë" në jetën e tij.
- Post By Qefsere Abduli
- 10:03, 8 nëntor, 2024
Londër, 8 nëntor 2024 (MIA) - Princi nga Uellsi e përshkoi vitin e fundit si "vitin më të vështirë" në jetën e tij.
Duke folur me gazetarët në fund të vizitës së tij në Afrikën e Jugut, princi Uilliam foli për mënyrën sesi e përballoi pasi bashkëshortja dhe babai i tij u diagnostikuan me kancer.
"Ishte e vështirë. Me siguri ishte viti më i vështirë i jetës sime. Kështu që ishte shumë vështirë të kaloj çdo gjë tjetër dhe për të mbajtur gjithçka në rrugën e duhur", tha ai duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për atë se si i kaloi viti i cili ishte i rëndë për familjen mbretërore.
Pallati Bakingam në shkurt njoftoi se mbreti ka kancer dhe se do të fillojë me mjekim. Vetëm gjashtë javë më vonë u njoftua se princesha nga Uellsi i është nënshtruar kimioterapive pasi u diagnostikua me kancer.
Që atëherë, mbreti është rikthyer në detyrat publike, ndërsa Kejti ka përfunduar mjekimin e saj me kimioterapi.
"Jam shumë krenar për bashkëshorten time, jam krenar për babain tim për atë se si i trajtuan gjërat ... Por, nga pikëpamja personale familjare, ishte brutale", tha Uilliam.
Princi nga Uellsi ishte në Afrikën e Jugut në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Earthshot.
Të mërkurën mbrëma, pesë projekte fituan nga 1 milion funta në para për inovacionet ekologjike.
Ai gjithashtu ishte pyetur për rolin e princit nga Uellsi dhe nëse i pëlqen liria dhe përgjegjësia që i bartë.
"Kjo është një pyetje e papërshtatshme. Nëse më pëlqen përgjegjësi më e madhe? Jo", tha ai.
"Nëse më pëlqen liria për të qenë në gjendje të ndërtoj diçka si Earthshot, atëherë po. Dhe ajo është e ardhmja për mua. Është shumë e rëndësishme me rolin tim dhe platformën time, të bëjë diçka për mirë. Të ndohmojë jetët e njerëzve dhe të bëjë diçka që me të vërtetë është domethënëse", tha princi britanik. qa/
Foto: DPA