• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Prigozhini dhe "vagneristët" largohen nga Rostov mbi Doni dhe rajoni Voronezh

Prigozhini dhe

Moskë, 25 qershor 2023 (MIA) - Shefi i Vagnerit, Evgenij Prigozhin i kryesoi mercenarët në daljen jashtë qytetit jugor rus Rostov mbi Don pasi mbrëmë arriti marrëveshje për t'i dhënë fund kryengritjes së armatosur afatshkurtër.

Situata rreth shtabit të Qarkut ushtarak jugor të armatës ruse Rostov mbi Don sot në mëngjes është e qetë dhe komunikacioni është ripërtërirë, njoftuan mediat ruse.

Në fotografitë e më shumë agjencive botërore dhe mediave shihet se si Prigozhin me buzëqeshje ia shtrin dorën dhe i përshëndet mbështetësit e tij në Rostov mbi Don, derisa me një automjet xhip e braktisi qytetin, ndërsa ushtarët e tij hipnin në kamionë për t'u kthyer në bazat e tyre terrenore, transmeton Al Xhezira.

Guvernatori i rajonit Voronezh, gjithashtu, kumtoi se luftëtarët e grupit "vagner" e kanë braktisur rajonin dhe janë larguar në kampet e tyre të stacionuara, transmetuan mediat franceze.

Sipas marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e presidentit bjellorus Aleksandar Lukashenko, Prigozhin u pajtua që ta ndërpresë kryengritjen dhe të largohet në ekzil.

Kremlini, nga ana tjetër, përmes zëdhënësit Dimitrij Peskov, kumtoi se është tërhequr ndjekja penale kundër njeriut të parë të ushtrisë mercenare "Vagner", ndërsa ushtarët e tij të cilët nuk u nisën në karvanin drejt Moskës, nuk do të ndiqen penalisht.

Në autostradat në Rusi, veçanërisht rreth hyrjeve në Moskë, janë hequr të gjitha kufizimet që u vendosën paraprakisht.

foto: Tuiter

QËNDRONI TË LIDHUR