• e enjte, 26 dhjetor 2024

Prigozhin: Në luftimet rreth Bahmutit kanë humbur jetën rreth 10.000 të burgosur të angazhuar nga "Vagner"

Prigozhin: Në luftimet rreth Bahmutit kanë humbur jetën rreth 10.000 të burgosur të angazhuar nga

Moskë, 24 maj 2023 (MIA) - Rreth 10.000 nga 50.000 të burgosurit e rekrutuar në burgjet ruse kanë vdekur në Ukrainë, duke luftuar në vijën e parë të betejës së përgjakshme për Bahmut, ka thënë lideri dhe themeluesi i grupit mercenar Vagner, Jevgenij Prigozhin. 

Shifra e të vrarëve, e paraqitur nga Prigozhin, përbën 20 për qind të 50.000 të dënuarve rusë që ai rekrutoi për luftën në Ukrainë.

Ky numër i luftëtarëve të vrarë vetëm në betejën për Bahmutin është shumë i lartë krahasuar me numrin e ushtarëve që Rusia pretendon se i janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë, përkatësisht Moska pretendon se që nga nisja e pushtimit në shkurtin e kaluar, i janë vrarë mbi 6.000 ushtarë.

Analistët besojnë që në nëntë muaj betejë në Bahmut janë vrarë dhjetëra mijëra ushtarë, në mesin e të cilëve edhe të dënuar që ishin rekrutuar, e që besohet se janë trajnuar pak ose aspak para se të dërgoheshin në fushëbetejë.

Prigozhin, gjatë një interviste të publikuar të martën mbrëma të realizuar nga Konstandin Dolgov, një politolog pro-Kremlinit, tha se qëllimi i Rusisë për “çmilitarizimin” e Ukrainës – që u proklamua si qëllimi i nisjes së pushtimit – ka dështuar sepse ushtria ukrainase është bërë më e fortë pas furnizimeve me armë dhe trajnimeve nga aleatët e saj perëndimorë.

Shefi i Vagnerit po ashtu tha se forcat e Kremlinit kanë vrarë civilë gjatë luftës, gjë që Moska vazhdimisht e ka mohuar.

Prigozhin, një biznesmen i pasur që ka lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin, njihet për deklaratat e tij kritikuese ndaj komandantëve ushtarakë rusë.

Muajin e kaluar ai akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes se nuk po furnizon trupat e tij me municione dhe kërcënoi se do të tërheqë mercenarët nga Bahmuti.

Gjatë intervistës, ai po ashtu tha se ka shumë të ngjarë që kundërofensiva e Kievit, që pritet të nisë në javët në vijim, mund të largojë trupat ruse nga jugu dhe lindja e Ukrainës, por edhe nga Krimeja e aneksuar, marrë parasysh mbështetjen e vazhdueshme që ka Kievi nga Perëndimi.

“Skenari pesimist: ukrainasve u jepen raketa, ata përgatisin trupat, sigurisht ata do ta vazhdojnë ofensivën e tyre, duke tentuar të kryejnë një kundërofensivë”, tha ai.

“Ata do ta sulmojnë Krimenë, do të tentojnë ta shkatërrojnë urën e Krimesë që e lidh këtë gadishull të aneksuar ukrainas me territorin e Rusisë], të ndërpresin linjat e furnizimit. Prandaj, ne duhet të përgatitemi për luftë të ashpër”, shtoi ai.

Rusia ka pretenduar se ka shënuar fitore në Bahmut, por Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 24 maj se “luftimet e ashpra” po vazhdojnë brenda Bahmutit.

Bahmuti gjendet në provincën e Donjeckut, që është një prej katër provincave që vitin e kaluar Rusia pretendoi se i ka aneksuar. Këto katër provinca janë pjesërisht në kontrollin e forcave të Moskës. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR