• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Presidentja Zurabishvili bëri thirrje për zgjedhje të reja në Gjeorgji

Presidentja Zurabishvili bëri thirrje për zgjedhje të reja në Gjeorgji

Tbilisi, 12 nëntor 2024 (MIA) - Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili e cila është në zënkë me qeverinë, bëri thirrje dje për zgjedhje të reja parlamentare pasi partia në pushtet "Ëndrra gjeorgjiane" fitoi zgjedhjet e tetorit që opozita i cilësoi si të manipuluara.

Opozita properëndimore në këtë vend të Kaukazit refuzoi të njohë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të cilat përfunduan me fitoren e partisë "Ëndrra gjeorgjiane" e akuzuar për qëndrim autoritar dhe prorus.

Presidentja gjeorgjiane e cili ka kompetenca të kufizuara në konferencë shtypi i dënoi "zgjedhjet e kontrolluara dhe të manipuluara nga një parti" duke iu referuar "Ëndrrës gjeorgjiane".

"Sot përballemi me një krizë", tha ajo, duke shtuar se është e nevojshme të organizohen "zgjedhje të reja që Gjeorgjia të ketë një parlament legjitim dhe qeveri legjitime".

Zurabishvili e cila akuzon Rusinë për ndërhyrje në zgjedhje, njoftoi se një grup deputetësh nga tetë vende evropiane, përfshirë Francën dhe Gjermaninë kanë qenë në Gjeorgji për të ndihmuar në "gjetjen e rrugës për të dalë nga kjo krizë".

Kryetari i parlamentit Shalva Papuashvili refuzoi të takohet me delegacionin. Delegacioni, megjithatë iu bashkua demonstratës pro BE-së të opozitës para parlamentit mbrëmë.

Bashkimi Evropian ku Gjeorgjia dëshiron t'i bashkohet, ka ushtruar presion mbi qeverinë e vendit që nga zgjedhjet e 26 tetorit.

Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel tha të premten se "ka dyshime serioze për mashtrim që kërkojnë një hetim të plotë".

Partia në pushtet "Ëndrra gjeorgjiane" nga ana e saj, tha se votimi ka qenë i lirë dhe i drejtë dhe se anëtarësimi në BE mbetet "përparësi absolute e qeverisë së saj".

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR