• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Presidentja Osmani pas takimit me ambasadoren Ziv: Arrihet dakordimi me Izraelin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës

Presidentja Osmani pas takimit me ambasadoren Ziv: Arrihet dakordimi me Izraelin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës

Prishtinë, 29 janar 2024 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadoren e Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv.

Në takim, siç bëhet e ditur në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK), u diskutua për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti.

"Ambasadorja Ziv e njoftoi presidenten Osmani se pas kërkesës së presidentes drejtuar institucioneve të Izraelit, qeveria e Izraelit ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike", bëhet e ditur në kumtesën e ZPRK-së.

Presidentja Osmani e falënderoi ambasadoren Ziv për këtë vendim, si zhvillim pozitiv i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar në mes të dy vendeve.

Tutje, me rastin e përvjetorit të Ditës së Kujtimit të viktimave të Holokaustit, presidentja Osmani përsëriti se Kosova kujton miliona njerëz të pafajshëm të humbur në një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit, dhe se kjo ditë shërben si rikujtim për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja dhe paragjykimi.

Ambasadorja Ziv e informoi për situatën e sigurisë në Izrael, ndërsa presidentja Osmani e informoi ambasadoren për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon. fc/

Fotografia:  Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës

QËNDRONI TË LIDHUR