• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Presidentja Osmani në prag të vitit të ri viziton Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Presidentja Osmani në prag të vitit të ri viziton Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Prishtinë, 31 dhjetor 2023 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në prag të Vitit të Ri, ka vizituar Klinikën Emergjente dhe atë të Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Presidentja deklaroi se puna e stafit mjekësor ndaj shëndetit të pacientëve edhe në kohë të ndërrimit të motmoteve, larg familjeve të tyre, tregon përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm.

Osmani gjatë vizitës u informua për punën e tyre përgjatë këtij viti, si dhe për sfidat me të cilat po përballet sektori i shëndetësisë. Presidentja shprehu mirënjohje të thellë për përkushtimin e të gjithë stafit në këto klinika, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve.

Presidentja Osmani nënvizoi nevojën për vazhdimin e investimeve në sektorin e shëndetësisë, për të siguruar kushte më të mira pune për mjekët dhe shërbime më cilësore për pacientët, me ç’rast konfirmoi mbështetjen e plotë dhe përkushtimin për vazhdim të bashkëpunimit edhe me partnerë të shumtë në këtë drejtim.

Presidentja Osmani u ka uruar të gjithë profesionistëve shëndetësor mbarësi dhe suksese në vitin e ri 2024. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR