• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Presidentja Osmani: Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim

Presidentja Osmani: Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim

Prishtinë, 9 prill 2023 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka përkujtuar përvjetorin e Betejës së Koshares, njërën ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Sot shënojmë përvjetorin e Betejës së Koshares, njërës ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, kujtojmë me respekt heronjtë e Betejës së Koshares dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së. Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim. Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani,  Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive. Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet", theksoi Osmani.

Manifestimet "Ditët e Shqipes", që i kushtohen kësaj beteje të lavdishme, organizohen nën përkujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe e pavdekshme lavdia për heronjtë e Koshares dhe luftën e popullit të Kosovës për liri. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR