Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbajti takime konsultative me liderët e Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së
- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka filluar më një cikël të ri konsultimesh lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25.
- Post By Fitore Curri
- 19:09, 2 korrik, 2025
Prishtinë, 2 korrik 2025 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka filluar më një cikël të ri konsultimesh lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25.
Siç bën të ditur Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK), sot, takimet e para janë mbajtur me kryeministrin në detyrë, njëherësh, kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
"Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit", bëhet e ditur në kumtesë.

Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione.

Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës. fc/
Foto: Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës