• e enjte, 26 dhjetor 2024

Presidentja e Kosovës, Osmani e pranoi çmimin “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu” dhe mori pjesë në inaugurimin e sheshit “Kosova” në Frasnitë, Itali

Presidentja e Kosovës, Osmani e pranoi çmimin “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu” dhe mori pjesë në inaugurimin e sheshit “Kosova” në Frasnitë, Itali

Prishtinë, 11 prill 2023 (MIA) -  Në një ceremoni të veçantë, të organizuar sot në komunën arbëreshe të Italisë, Frasnitë, presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, iu nda çmimi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Ky çmim i është ndarë presidentes nga kryetari i kësaj komune, Angelo Catapano.

Osmani, siç kumton Kabineti i saj, ia shprehu mirënjohjen e saj kryetarit Catapano dhe komunës së Frasnitës për çmimin dhe kujdesin e vazhdueshëm për ruajtjen dhe kultivimin e lidhjeve kulturore me hapësirat shqiptare. Ajo e vlerësoi atë si çmim që u ndahet përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Presidentja e Kosovës theksoi se Frasnita është e njohur në kulturën shqiptare si vend në të cilin, krahas Makit e vendeve të tjera arbëreshe, është mbrojtur ideja e rilindjes kombëtare dhe historia e heroit tonë nacional, Gjergj Kastriotit.

“Frasnita i ka dhënë letërsisë e kulturës shqiptare personalitete e vepra të shquara, të cilat qëndrojnë në themele të vlerave tona kulturore e letrare”. Vincenco Dorsa, Bernard Bilota, Vora Ujko e shumë personalitete të tjera janë pjesë e rëndësishme e thesarit tonë kulturor e letrar”, tha Osmani.

Më tej, presidentja e Kosovës tha se vizita në Kalabri bart më vete mirënjohjen e thellë të cilën ne e kemi për gjithë çfarë i kanë dhënë arbëreshët kulturës e trungut të tyre etnik, por edhe vendit mikpritës, Italisë. Identiteti kulturor e gjuhësor arbëresh është pjesë e identitetit dhe e kulturës shqiptare. Prandaj, ruajtja e saj arbëreshe është jetike për kulturën tonë.

“Ne i kemi inkurajuar institucionet e Kosovës dhe dëshiroj ta diskutoj me komunat arbëreshe mundësinë që të hartojmë projekte për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e traditave kulturore, nëpërmjet regjistrimit e botimit të asaj që në shkencën bashkëkohore njihet si kujtesë gojore”, tha Osmani.

Po sot, presidentja, së bashku me kryetarin e komunës së Frasnitës, Katapano inauguruan sheshin “Kosova”, në qytetin e Frasnitës. Osmani theksoi se inaugurimi i sheshit me emrin e Kosovës është dëshmi e ruajtjes së raporteve të thella të cilat ne i kemi kultivuar tradicionalisht me komunat arbëreshe.

"Ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër arbëreshëve tanë, në mënyrë që ata t’i ruajnë e t’i kultivojnë më tej gjuhën, traditat dhe kulturën arbëreshe”, theksoi Osmani. bsh/

Foto: Kabineti i presidentes së Republikës së Kosovës

QËNDRONI TË LIDHUR