• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Presidenti gjerman Shtajnmaer kërkon falje për gabimet që çuan në masakrën e Lojërave Olimpike të Munihut në vitin 1972

Presidenti gjerman Shtajnmaer kërkon falje për gabimet që çuan në masakrën e Lojërave Olimpike të Munihut në vitin 1972
Munih, 5 shtator 2022 (MIA) - Gjermania sot u kërkoi falje familjeve të viktimave të sulmit në Lojërat Olimpike në Munih 50 vjet më parë dhe pranoi përgjegjësinë për një sërë lëshimesh që çuan në vrasjen e 11 izraelitëve. "Si shef i këtij shteti dhe në emër të Republikës Federale të Gjermanisë, kërkoj faljen tuaj për mbrojtjen joadekuate të sportistëve izraelitë gjatë Lojërave Olimpike në Munih, sqarimin joadekuat të faktit se ajo që ndodhi mund të kishte ndodhur", deklaroi sot presidenti Frank -Ualter Shtajnmaer  në ceremoninë e shënimit të 50 vjetorit të sulmit, duke iu drejtuar të afërmve të viktimave. Presidentët e Gjermanisë dhe Izraelit drejtuan sot përkujtimet për të shënuar 50-vjetorin e sulmit të LO-së me shpresën se një marrëveshje e shumëpritur kompensimi për familjet e viktimave do të ndihmojë më në fund të fillojë shërimi, njoftuan mediat franceze. Më 5 shtator  të vitit 1972, tetë anëtarë të armatosur të organizatës ekstremiste palestineze "Shtatori i Zi" sulmuan ndërtesën në të cilën gjendej ekipi olimpik izraelit në fshatin Olimpik, duke vrarë dy dhe duke marrë nëntë pengje. Operacioni  i shpëtimit nga policia e atëhershme gjermano-perëndimore dështoi dhe të gjithë pengjet u vranë, si dhe pesë sulmues dhe një polic. Familjarët e viktimave njoftuan se do të bojkotojnë përkujtimin e sotëm për shkak të mosmarrëveshjeve për dëmshpërblimin, por të mërkurën e kaluar më në fund u arrit marrëveshja që Berlini të jepte gjithsej 28 milionë euro dëmshpërblim. Gjermania gjithashtu për herë të parë pranoi përgjegjësinë për gabimet që çuan në vrasjen e izraelitëve. Sot, Shtajnmajer kërkoi falje për ato lëshime të vendit të tij. Përkujtimi u mbajt në aeroportin Firstenfelbruk pranë Munihut, vendi i përpjekjes së dështuar të shpëtimit të nëntë atletëve izraelitë. Në vendin e tragjedisë 50 vjet më parë, Shtajnmajer dhe presidenti izraelit Isak Hercog vendosën kurora me lule. "Po flasim për një tragjedi të madhe dhe një dështim të trefishtë. E para i referohet përgatitjeve për Lojërat dhe konceptit të sigurisë, e dyta ngjarjeve të 5 dhe 6 shtatorit të vitit 1972. E treta fillon ditën pas sulmit: heshtja, mohimi dhe harresa", tha Shtajnmaer. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR