• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Presidenti çek druan se marrëveshja midis Trampit dhe Putinit do të dëmtojë Evropën

Presidenti çek druan se marrëveshja midis Trampit dhe Putinit do të dëmtojë Evropën

Pragë, 9 nëntor 2024 (MIA) - Presidenti i Republikës së Çekisë, Petër Pavel, mbrëmë, në hapjen e Samitit të Mbrojtjes së Pragës, tha se shpresat se presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Tramp, do të mund ta zgjidhë shpejt konfliktin në Ukrainë, siç premtoi ai, janë jorealiste dhe paralajmëroi se marrëveshja e mundshme me presidentin rus Putin do të ishte në dëm të Ukrainës dhe Evropës.

"Shumë vende shpresojnë se Donald Trampi do të sjellë ndryshime, veçanërisht pasi ai flet për zgjidhjen e konfliktit brenda 24 orëve. Është joreale, por mendoj se ai do të bëjë përpjekje për të arritur një marrëveshje me Putinin. Ndoshta nuk do të jetë në interesin tonë apo në interesin e Ukrainës", tha Pavel në debatin në fillim të konferencës treditore.

Presidenti çek, përndryshe një gjeneral në pension dhe ish kryetar i komitetit ushtarak të NATO-s, tha se ishte e nevojshme të pritej për lëvizje konkrete kur Trampi të arrijë në Shtëpinë e Bardhë, sepse ajo që po mësohet aktualisht për planin e paqes nga këshilltarët e Trampit duket si një dorëzim i thjeshtë  i Rusisë në territoret që ajo pushtoi duke e ndaluar Ukrainën të bashkohet me NATO-n për 20 vitet e ardhshme, duke transferuar përgjegjësinë për një zonë të madhe eventuale të çmilitarizuar në Evropë.

"Rezultati është shkëputja e përkohshme e disa territoreve dhe vendosja e një kufiri administrativ në konflikt derisa të arrijmë një zgjidhje diplomatike", tha Pavel.

Presidenti çek paralajmëroi se situata në fushën e betejës, ku Rusia ka një avantazh, është e tillë që është e vështirë të motivohen palët ndërluftuese për negociata.

"Deri më tani nuk ka pasur propozime për negociata. As propozimi rus dhe as plani ukrainas për fitore totale nuk ishin propozime për negociata. Kina nuk ka paraqitur as një plan konkret për negociata", tha Pavel dhe paralajmëroi se India dhe Kina duhet të përfshihen në iniciativat e paqes për të ushtruar presion ndaj Rusisë.

Presidenti çek beson se avantazhi aktual i Rusisë në fushën e betejës është rezultat i mbështetjes fillestare të ngadaltë dhe të dobët të Perëndimit për Ukrainën kur Rusia sulmoi.

"Agresioni rus kundër Ukrainës nuk është thjesht një konflikt i radhës, por ripërcakton rendin ndërkombëtar dhe është i një rëndësie vendimtare jo vetëm për Ukrainën, por edhe për parimet ndërkombëtare si sovraniteti dhe integriteti territorial. Mbështetja për Ukrainën nuk duhet të dobësohet", tha presidenti çek.

Sipas tij, lidhjet transatlantike janë një domosdoshmëri që bota të përballet me sfidat dhe kërcënimet e shteteve autoritare si Rusia, Koreja e Veriut dhe të tjera.

"I kam bërë thirrje Kinës që të luajë një rol më aktiv. Të jesh një fuqi botërore jo vetëm që sjell përfitime, por do të thotë edhe përgjegjësi", tha Pavel.

Presidenti i Republikës Çeke i bëri thirrje Evropës që të mos presë lëvizjet e administratës së re amerikane, por të fillojë të mësojë vetë se paqja varet nga një mbrojtje e fortë, se lëshimet për hir të paqes janë gjithmonë vetëm për agresion të mëtejshëm, dhe se siguria e saj nuk është e garantuar me vetë faktin se NATO ekziston.

"Evropa duhet të investojë më shumë në mbrojtje. Dy për qind e PBB-së thjesht nuk mjaftojnë. Evropa do të duhet të bëjë më shumë pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve në SHBA. Me Trampin, ne mund ta bëjmë më shpejt," tha Pavel. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR