• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

President Begaj nga e premtja për vizitë dyditore zyrtare në Itali

President Begaj nga e premtja për vizitë dyditore zyrtare në Itali

Tiranë, 24 maj 2023 (MIA) - Presidenti i Republikës, Bajram Begaj do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Itali, në datat 26-27 maj, me ftesë të presidentit të Italisë, Serxho Matarela.

Në datën 26 maj, presidenti Begaj do të pritet me nderimet e rastit nga presidenti i Italisë, Matarela dhe do të zhvillojë bisedime të veçanta e të zgjeruara në Pallatin Kuirinale.

Në qendër të bisedimeve, siç njofton ATSH-ja do të jenë rikonfirmimi i marrëdhënieve të shkëlqyera e shumëdimensionale dypalëshe, procesi i integrimit evropian të Shqipërisë dhe mbështetja e vyer e Italisë, kontributi i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe çështje të tjera me interes gjeopolitik.

Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Romë, presidenti Begaj do të pritet në një takim të veçantë edhe nga kryetari i Dhomës së deputetëve, Lorenco Fontana.

Ndërsa, më 27 maj, Begaj do të vizitojë rajonin e Abrucos, ku do të pritet nga autoritetet vendore të këtij rajoni, në l’Aquila dhe Chieti, si dhe do të takohet në Villa Badesa me komunitetin historik arbëresh dhe përfaqësues të komunitetit të ri shqiptar të këtij rajoni. mb/

 

QËNDRONI TË LIDHUR