• e enjte, 26 dhjetor 2024

Presidentët e Kinës dhe Francës u zotuan për kthimin e paqes në Ukrainë

Presidentët e Kinës dhe Francës u zotuan për kthimin e paqes në Ukrainë

Paris, 7 prill 2023 (MIA - Presidenti kinez Si Xhinping sot premtoi se do "të mbështesë të gjitha përpjekjet për të rivendosur paqen në Ukrainë", thuhet në deklaratën e përbashkët pas përfundimit të vizitës së presidentit francez Emanuel Makron në Kinë.

Kina dhe Franca "kundërshtojnë sulmet e armatosura ndaj centraleve bërthamore dhe objekteve të tjera bërthamore" dhe mbështesin Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB) "për të garantuar sigurinë e centralit Zaporozhje".

Në deklaratën e përbashkët nuk përmendet Rusia dhe as nuk dënohet ofensiva e saj në Ukrainë.

Në tekst përmendet "rëndësia që të gjitha palët në konflikt të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare".

Pallati i Eliseut kishte njoftuar më parë se presidenti Si është i gatshëm t'i telefonojë homologut të tij ukrainas Volodimir Zelenski për herë të parë që nga fillimi i konfliktit, por shtoi se presidenti kinez do ta bënte këtë kur të vlerësojë se është momenti i duhur për një telefonatë të tillë.

Kjo nismë nuk përmendet në deklaratën e përbashkët.

Në shkurt, Kina publikoi një dokument me 12 pika që përshkruan pozicionin e saj për konfliktin në Ukrainë. Dokumenti për të cilin disa besojnë se mund të shërbejë si një plan paqësor, inkurajon Moskën dhe Kievin të kenë bisedime.

Në shtator, Pekini nuk e njohu aneksimin e njëanshëm të katër territoreve ukrainase ndaj Rusisë as aneksimin e Krimesë në vitin 2014. qa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR