Presidenca e Azerbajxhanit e COP29 po përpiqet të ulë tensionin me Francën
- Presidenca e Azerbajxhanit në konferencën ndërkombëtare të klimës po përpiqet të zbusë incidentin diplomatik midis Bakut dhe Parisit.
- Post By Qefsere Abduli
- 16:02, 14 nëntor, 2024
Baku, 14 nëntor 2024 (MIA) - Presidenca e Azerbajxhanit në konferencën ndërkombëtare të klimës po përpiqet të zbusë incidentin diplomatik midis Bakut dhe Parisit.
"Dyert tona janë të hapura për këdo që dëshiron të marrë pjesë në diskutime konstruktive," deklaroi kryenegociatori i Azerbajxhanit, Jallçin Rafijev, pas anulimit të vizitës së ministres franceze të klimës, Anjes Panie Rinashe.
Në fjalimin e tij të djeshëm para përfaqësuesve të shteteve ishullore, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliev dënoi historinë koloniale të Francës dhe "krimet" e kryera, sipas tij, nga "regjimi" i presidentit francez Emanuel Makron në territoret përtej detit, veçanërisht në Kaledoninë e Re.
Disa orë më vonë, ministrja franceze e Tranzicionit në Mjedisin jetësor, Anjes Panie Rinashe njoftoi se nuk do të marrë më pjesë në konferencën në Baku pas sulmeve, të cilat i përshkroi si "të papranueshme".
Pothuajse 200 vende po marrin pjesë në konferencën e KB-së për klimën. Roli i vendit nikoqir është të sigurojë kushtet për arritjen e një konsensusi mbi bazën e të cilit merren vendimet, sipas mediave franceze. Presidenti francez nuk mori pjesë as në samitin e lidershipit dje dhe pardje.
Marrëdhëniet e tensionuara midis Francës dhe Azerbajxhanit të lidhura me mbështetjen e Parisit për Armeninë, rivalin historik të Bakut, janë përkeqësuar që kur Azerbajxhani rifitoi kontrollin e enklavës së Nagorno-Karabakut pas ofansivës në shtator të vitit 2023, në të cilën u zhvendosën më shumë se 100.000 armenë.
Bashkimi Evropian shprehu solidaritetin me Francën dhe Holandën, të cilat gjithashtu janë sulmuar nga Alievi për territoret e tyre jashtë shtetit.
"Jashtë çdo dallimi dypalësh, COP29 duhet të jetë një forum ku të gjitha vendet ndjehen të lira të vijnë dhe të negociojnë për klimën," tha sot Jakob Uerksman, kryenegociatori i Komisionit Evropian. qa/
Foto: Arkivi