Pranim-dorëzim të detyrës mes kryetarit të deritashëm dhe atij të ri të Këshillit të BE-së
- Në selinë e Këshillit Evropian në Bruksel sot do të mbahet ceremonia e pranim- dorëzimit të detyrës mes kryetarit të deritanishëm të Këshillit të BE-së Sharl Mishel dhe pasardhësit të tij në këtë funksion, Antonio Koshta.
- Post By Fami Bajrami
- 09:10, 29 nëntor, 2024
Bruksel, 29 nëntor 2024 (MIA) - Në selinë e Këshillit Evropian në Bruksel sot do të mbahet ceremonia e pranim- dorëzimit të detyrës mes kryetarit të deritanishëm të Këshillit të BE-së Sharl Mishel dhe pasardhësit të tij në këtë funksion, Antonio Koshta.
Mishel i cili është ish kryeministër belg, ka kryer detyrën e kryetarit të Këshillit të BE-së që nga 1 dhjetori 2019.
Koshta në detyrën e re u zgjodh në qershor të këtij viti në bazë të marrëveshjes midis tre grupeve të shumicës centriste proevropiane në Parlamentin Evropian - Partia Popullore Evropiane (EPP), Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (SD) dhe Grupi liberal "Ta rinovojmë Evropën" (RE) për ndarjen e funksioneve drejtuese në BE.
Koshta ka lindur në Lisbonë në vitin 1961. Diplomoi në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit të Lisbonës dhe hyri aktivisht në politikë në vitin 1988. Në periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2024 ka qenë anëtarë i Asamblesë portugeze për disa mandate dhe nga viti 2004 deri në vitin 2005 ka qenë deputet në Parlamentin Evropian.
Në vitin 1997 është zgjedhur për ministër për marrëdhëniet me Parlamentin, ndërsa dy vjet më vonë ministër i Drejtësisë, ku në funksion mbeti deri në vitin 2002. Në vitin 2005 u zgjodh ministër i Administratës, detyrën të cilën e la në vitin 2007, kur u bë kryetar i Komunës së Lisbonës. Për kryetar komune ai u rizgjodh në vitin 2009 dhe në vitin 2013, ndërsa në vitin 2014 u bë lider i Partisë Socialiste të atëhershme opozitare, pas së cilës në prill të vitit të ardhshëm u largua nga posti i kryetarit dhe në nëntor të të njëjtit vit u zgjodh kryeministër i Portugalisë.
Funksionin si kryeministër Koshta e kreu për gati nëntë vjet deri në prill të këtij viti, pasi PS-ja e tij u mund në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zgjedhjeve u ka paraprirë hetim kundër Koshtës dhe bashkëpunëtorëve të tij nën dyshim për korrupsion dhe shpërdorim detyre, por nuk u ngrit akuzë me arsyetimin se në hetim është implikuar gabimisht pasi identiteti i tij u ngatërrua me atë të ministrit të Ekonomisë, Antonio Koshta Silva.
Mandati i Koshtës si kryetar i Këshillit Evropian do të fillojë zyrtarisht të rrjedhë të dielën më 1 dhjetor.
Përndryshe Koshta do të jetë bartësi i parë i një prej funksioneve më të larta në BE i cili është pjesëtar i një pakice etnike. Nëna e tij është portugeze, me profesion gazetare dhe luftëtare e shquar për të drejtën e abortit, ndërsa babai i tij ishte një shkrimtar i lindur në Mozambik. Gjyshi nga babai i Koshtës ishte indian, ndërsa gjyshja e tij me prejardhje franceze-mozambike.
Në intervistën e tij të parë që kur u zgjodh në postin e tij aktual, Koshta tha se donte të përdorte prejardhjen e tij etnike për të ripërcaktuar marrëdhëniet e shpeshta të pabarabarta të Evropës me Azinë, Afrikën dhe Amerikën e Jugut.
Ai gjithashtu bëri thirrje për një ndryshim në status kuo-në në botën e sotme shumëpolare dhe për marrëdhënie më të ngushta të BE-së me rajone dhe vende të ndryshme të cilat janë relevante "në një botë që është shumë më tepër se G7 ose G20". "Kjo është një botë e përbërë nga 195 vende", tha Koshta. rq/
Foto: ENR