• e enjte, 26 dhjetor 2024

Porosi të reja evakuimi për shkak të zjarrit në Atikë të Greqisë

Porosi të reja evakuimi për shkak të zjarrit në Atikë të Greqisë

Athinë, 12 gusht 2024 (MIA) - Tre porosi për evakuuim nga numri i rasteve urgjente 112 herët në mëngjes janë dërguar te të gjithë ata që ndodhen në pesë vendbanime të ndryshme në pjesën verilindore të rajonit grek Atikë, rajoni i gjerë i Athinës, për shkak të zjarrit që është aktiv tash e 20 orë, ndërsa gjatë natës u zgjerua edhe më shumë, duke marrë përmasa të mëdha, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Sipas hartës për zjarre të NASA-s, zjarri është në gjatësi 20 kilometra dhe mbulon një sipërfaqe prej më shumë se 110 kilometra katrorë.

Ministri i Mbrojtjes Civile dhe Krizave Klimatike i Greqisë, Vasilis Kikilas mëngjesin e sotëm informoi se beteja po zhvillohet në dy fronte, ndërsa në disa pjesë situata është përmirësuar, duke theksuar se zjarri veçanërisht është i rrezikshëm për shkak të erës së fortë, thatësirës së vazhdueshme dhe reliefit të zonës me pyje të dendur. 

Ai theksoi se kanë intervenuar 670 zjarrfikës me 27 ekipe këmbësorike, 183 automjete dhe 32 mjete ajrore, gjegjësisht 17 aeroplanë dhe 15 helikopterë.

Në evakuimin e banorëve të zonave të prekura nga zjarri është përfshirë edhe policia, ndërsa policët shkojnë shtëpi më shtëpi, derë më derë për shpëtimin e mundshëm të qytetarëve.

Përmes rrjeteve sociale, nga policia greke bëjnë me dije se që nga dita e djeshme kanë ndihmuar në shpëtimin e më shumë se 250 personave të ngecur në pjesët ku ka rënë zjarri, 380 policë po ndërhyjnë me 77 automjete, 36 motoçikleta, dhe njëkohësisht ka publikuar një video nga shpëtimi i të moshuarve me probleme shëndetësore.

Siç njoftoi paraprakisht MIA, evakuime të zonave të banuara ka pasur edhe gjatë ditës së djeshme në orët e vona të natës dhe herët në mëngjes, janë evakuuar edhe spitalet për fëmijë dhe ato ushtarake, si dhe janë hapur sallat sportive dhe stadiumi olimpik në Athinë për pritjen e qytetarëve.

Mirëpo, nuk është i vogël numri i atyre qytetarëve që pavarësisht mesazheve nga numri 112 për evakuim refuzojnë të evakuohen dhe qëndrojnë në vend për të shpëtuar pronat e tyre dhe për të ndihmuar forcat zjarrfikëse në përballjen me flakët.

Deri tani, janë regjistruar vetëm disa raste të qytetarëve të cilët kërkojnë ndihmë pas problemeve me frymëmarrjen për shkak të tymit të dendur.

Tymi, poashtu si ditën e djeshme sot është përhapur në të gjithë zonën e Atikës. qa/

QËNDRONI TË LIDHUR